Anita Hipper (Foto RTSH)
Çdo marrëveshje që Italia arrin me Shqipërinë në lidhje me përpunimin e kërkesave për azil të emigrantëve duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe atë evropian, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, në lidhje me paktin për emigracionin njoftuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorgia Meloni.
Hipper gjithashtu bëri të ditur se autoriteteve italiane iu ishte kërkuar të jepnin detaje për marrëveshjen, që më pas të jepeshin vlerësime për të, shkruan “RTSH”. Sipas ligjit evropian, kërkesat për azil të emigrantëve që zbarkojnë në territorin e BE-së, ose që ndodhen në ujërat kombëtare të vendeve anëtare, duhet të përpunohen në BE. Dhe sipas ligjit ndërkombëtar, emigrantët kanë të drejtë të mbrohen nga transferimi nga juridiksioni i një shteti kur ata mendohet se mund të jenë në rrezik.
Marrëveshja ndërkohë është kundërshtuar nga opozita në Itali. Sekretarja e Partisë Demokratike në këtë vend thotë se pakti është në kundërshtim të hapur me ligjin ndërkombëtar dhe atë evropian. “Georgia Meloni duhet që, pikësëpari, të bindë aleatët e saj nacionalistë në Evropë për të ndarë barrën e emigracionit dhe mos ta lërë Italinë vetëm”,- tha ajo. (Elona)