Britani e Madhe, ofrohet ilaçi për parandalimin e kancerit të gjirit
2023-11-09 16:37:43

Mamografi (Foto ATSH)

Afro 300.000 grave në Britani do t’u ofrohet një ilaç për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit, njoftoi Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i vendit (NHS).

Rreth 289.000 grave pas menopauzës në Angli, të cilat mendohet se kanë një rrezik të moderuar ose të lartë të kancerit të gjirit, do t’u ofrohet “Anastrozole” në një përpjekje për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes.

Provat kanë treguar se ilaçi redukton rastet e kancerit të gjirit me 49% gjatë 11 viteve në mesin e grave të kualifikuara, bën të ditur “ATSH”.

Zyrtarët kanë vlerësuar se nëse 25% e grave të kualifikuara në Angli e pranojnë ofertën dhe gjysma e tyre e marrin ilaçin për pesë vitet e rekomanduara, atëherë do të parandalohen 2000 raste të zhvillimit të kancerit të gjirit.

Ilaçi zakonisht përdoret për të trajtuar kancerin e gjirit, por është është zbuluar se mund të ndikojë edhe në parandalim. Ky është ilaçi i parë që kalon përmes Programit të Ripërdorimit të Barnave të NHS-së në Angli. (Elona)