Qeveria federale gjermane do të paguajë 7500 euro për çdo refugjat
2023-11-09 11:54:44

Foto ATSH

Pas diskutimeve të gjata në Berlin, qeveria federale e Gjermanisë ka rënë dakord për ndarjen e barrës financiare të krizës së refugjatëve.

Kancelari Olaf Scholz, në një konferencë shtypi, tha se qeveria federale do të paguajë 7500 euro në vit për çdo refugjat të akomoduar nga shtetet federale, duke filluar nga janari 2024, citon “ATSH”.

“Qëllimi ynë i përbashkët mbetet reduktimi i emigrimit të parregullt. Ne kemi rënë dakord gjithashtu për një sërë masash konkrete për këtë”, -u tha gazetarëve kancelari Scholz.

“Uniteti ynë dhe veprimi i përbashkët është thelbësor sepse vetëm kështu ne mund të arrijmë synimet tona në të gjitha nivelet së bashku”,- shtoi ai.

Pas takimit u lëshua një deklaratë e përbashkët ku theksohet se duke reduktuar emigracionin e parregullt, burimet mund të ridrejtohen për të akomoduar azilkërkuesit që me të vërtetë kanë nevojë për mbrojtje në Gjermani.

Qeveria gjermane dhe shtetet federale prej kohësh ishin në mosmarrëveshje për kostot e refugjatëve, ndërsa autoritetet lokale ankoheshin se po përballeshin me një krizë në ofrimin e strehimit për azilkërkuesit e sapoardhur.

Rreth 230 mijë emigrantë aplikuan për azil në Gjermani midis janarit dhe tetorit të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 70 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktualisht, rreth 1 milion refugjatë ukrainas jetojnë në vend. Sipas shifrave zyrtare, që nga janari, më shumë se 70 mijë sirianë dhe rreth 40 mijë afganë kanë aplikuar për azil. (Elona)