I dërguari kinez në Kombet e Bashkuara (OKB) u bëri thirrje të mërkurën të gjitha palëve që të shmangin intensifikimin e konflikteve dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm për arritjen e paqes. Geng Shuang, zv.përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, i bëri këto komente në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën.
Geng Shuang, zv.përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB(Foto:Xinhua)
"Armët mund të fitojnë luftëra, por ato nuk sjellin paqe," tha Geng, duke shtuar se fluksi i madh i armëve në fusha beteje po përkeqëson zgjatjen e krizës ukrainase dhe po ekspozon më shumë njerëz të pafajshëm ndaj vuajtjeve prej luftës.
Kina u bën thirrje të gjitha palëve, veçanërisht vendeve që kanë një ndikim të rëndësishëm, të luajnë një rol vërtet pozitiv, të përmbahen nga përkeqësimi i konfrontimit, zgjatja e luftës ose intensifikimi i situatës, në mënyrë që të krijojnë një mjedis të favorshëm për paqe, tha Geng.
“Qoftë për çështjet e Ukrainës apo për çështje të tjera, Kina kundërshton çdo dhunë dhe sulm kundër civilëve”, tha ai. “Kina u bën thirrje edhe një herë të gjitha palëve në konflikt të ruajnë qetësinë dhe përmbajtje, të respektojnë rreptësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur civilët dhe objektet kryesore civile”, shtoi zv.përfaqësuesi i Kinës në OKB.
Sipas tij, Kina do të vazhdojë të qëndrojë në anën e paqes dhe dialogut, duke punuar aktivisht për paqe dhe negociata, theksoi Geng.(Zhang Yan/Eda)