Foto nga CFP
Katërmbëdhjetë projekte industriale evropiane, me një investim total prej afro dy miliardë eurosh (rreth 2.13 miliardë dollarë amerikanë) u nënshkruan të mërkurën në qytetin Wuxi, provinca Jiangsu e Kinës lindore, bën të ditur “Xinhua”.
Projektet, duke përfshirë një projekt të fabrikës digjitale të pajisjeve inteligjente të tensionit të mesëm të “Siemens Group”, Gjermani, dhe një projekt bazë të industrisë inteligjente të gjelbër të “Schneider Electric Group” të Francës, u nënshkruan në Konferencën e Inovacionit dhe Bashkëpunimit Industrial 2023 Kinë-BE (Wuxi).
Projektet fokusohen kryesisht në fusha të tilla si interneti i gjërave, pajisjet e nivelit të lartë dhe pjesët e automjeteve. Pas përfundimit, prodhimi total vjetor pritet të arrijë në 35 miliardë juanë (rreth 4.8 miliardë dollarë amerikanë), thanë autoritetet lokale.
Në konferencë u inaugurua ndërtimi i zonës së inovacionit industrial Kinë-BE. Duke mbuluar një sipërfaqe prej 24.5 km katrorë, zona ndodhet në distriktin kombëtar të teknologjisë së lartë Wuxi dhe planifikon të bashkojë më shumë se 100 projekte evropiane deri në fund të vitit 2025.
Aktualisht, 166 ndërmarrje nga vendet e BE-së kanë investuar gjithsej 15 miliardë euro në distriktin kombëtar të teknologjisë së lartë Wuxi, duke arritur të ardhura nga shitjet prej më shumë se 118 miliardë juanë në vitin 2022. (Elona)