Foto Panorama
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe 16 guvernatorët shtetërorë kanë arritur dakordësinë për vendosjen e masave të reja, më të rrepta, për të frenuar numrin e madh të emigrantëve, shkruan “Panorama”.
Masat e reja përfshijnë përshpejtimin e procedurave të azilit, kufizimin e përfitimeve për azilkërkuesit dhe shtimin e ndihmave financiare nga qeveria federale për shtetet dhe komunitetet lokale për t’u përballur me këtë fluks.
Scholz e cilësoi marrëveshjen si moment historik, gjë që tregon se sa barrë e madhe ishte bërë kjo çështje për qeverinë e tij.
Qeveritë shtetërore dhe ajo federale u pajtuan të ndryshojnë sistemin e financimit të kostos për azilkërkuesit. Duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria federale do të paguajë një shumë vjetore prej 7500 eurove për çdo azilkërkues dhe jo më një shumë të përgjithshme vjetore prej 3.7 miliardë eurosh për ta.
Strehimoret për emigrantët dhe refugjatët në Gjermani janë duke u mbushur plot, ndërsa numri i azilkërkuesve për këtë vit ishte 73 për qind më i lartë deri në fund të shtatorit se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat zyrtare.
Më shumë se 250.000 persona aplikuan për azil në Gjermani nga janari deri në shtator, krahasuar me 130.000 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Siria, Afganistani dhe Turqia. (Irma)