Para një muaji, saktësisht me datën 9 tetor 2023, presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, priti në audiencë një delegacion të senatorëve amerikanë të kryesuar nga lideri i shumicës së demokratëve në këtë senat, Schumer. Në bisedë me ligjvënësit e Uashingtonit presidenti Xi tha se ka mijëra arsye pse marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit duhen përmirësuar dhe se nuk ekziston asnjë shkak pse këto marrëdhënie do të duhej të rrënoheshin. Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu në atë bisedë se të dy vendet (Kina dhe SHBA) duhet të afrohen dhe në të ardhmen të ndikojnë në fatin e njerëzimit. Sipas tij këtë e diktojnë ndryshimet në botë, ku me siguri ai mendon në konfliktet e hapura si ai në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Atë ditë, kur Xi dhe Schumer po bisedonin me njëri-tjetrin, sapo kishte filluar lufta midis Hamasit dhe Izraelit.
Me datën 9 tetor 2023, presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, priti në audiencë një delegacion të senatorëve amerikanë të kryesuar nga lideri i shumicës së demokratëve në këtë senat, Schumer/Xinhua
Njëzet ditë më vonë u takuan në Uashington dy shefat e diplomacisë të të dy vendeve, ai i RP të Kinës, Wang Yi dhe ai i SHBA-ve, Antony Blinken. Të dy këta zhvilluan një bisedë të ngrohtë dhe shtensionuese të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Ata dhanë mesazhin se Kina dhe SHBA do të punojnë së bashku për të ardhmen e globit e të njerëzimit. Ministri Wang u takua gjithashtu me presidentin amerikan, Joe Biden dhe kjo ndodhi më shumë për shkak të takimit të mundshëm midis dy presidentëve që do të zhvillohet në fund të nëntorit.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me kolegun e tij amerikan Antony Blinken./Xinhua
Por ka edhe një tjetër dëshmi e relaksit dhe përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve në linjën Pekin-Uashington. Kjo lidhet me vizitën në Pekin në fund të tetorit të kaluar të guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom. Theksojmë se takimi Xi-Biden do të zhvillohet në Kaliforni në fund të nëntorit gjatë samitit të APEC. Biseda midis presidentit Xi dhe guvernatorit Newsom u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore. Fotot dhe paraqitjet televizive krijuan përshtypjen e një takimi miqësor. Retorika ishte e rezervuar dhe Newsom u shpreh se “Jam këtu me dorë të hapur dhe jo me një grusht të mbyllur”! Kishin kaluar gjashtë vite, që kur presidenti i Kinës nuk kishte takuar ndonjë guvernator amerikan. Më i rëndësishëm qe fakti se guvernatori i Kalifornisë u shpreh në sy të presidentit Xi se “Më në fund është koha kur eskalimi i marrëdhënieve midis dy Fuqive Botërore të ndërpritet”!
Para katër muajsh, qershorin e kaluar, bota shihte një marrëdhënie të acaruar mdis të dy Fuqive më të Mëdha të globit tokësor. Por tani kemi një panoramë krejt ndryshe. Udhëtimi i presidentit Xi në Kaliforni pas pak javësh është dëshmi e faktit se nuk kemi të bëjmë me kalkulime taktike. Lëvizjet diplomatike të sotme i ngjajnë atyre që u zhvilluan në fillim të viteve 1970 me ish-sekretarin e Shtetit amerikan, Henry Kisinger dhe kryeministrin kinez, Çu En Lai. Që do të thotë se është fjala për një rol të ri në skenën dhe rendin botëror të të dy aktorëve kryesorë, SHBA-ve dhe Republikës Popullore të Kinës.
Duket se bota po shkon drejt një rendi bipolarizues, i ngjanshëm me periudhën e Luftës së Ftohtë. Sot Kina është vendi më i madh në botë me rol të padiskutueshëm, pas SHBA-ve. Uashingtonit i duhej dhe i duhet të zgjedhë midis Fuqive të Mëdha.
Bota dhe njerëzimi ka nevojë për një ekuilibër të ri. Ky ekuilibër nuk mund të vendoset pa mirëkuptimin dhe një marrëdhënie në harmoni midis Kinës dhe SHBA-ve. Të dyja këto vende prodhojnë më shumë se gjysmën e GPD-së së botës. Në fund të fundit në prodhimin botëror kanë aksionet më të mëdha, diku 60 përqind. Por një rend i ri botëror me autoritet vendimmarrës të ri në linjën Kinë-SHBA besoj se do të ishte më i shëndetshmi për botën. Edhe marrëdhëniet e mira midis Pekinit dhe vendeve europiane gjithashtu. Kjo ka shumë rëndësi me qëllim të krijimit të ekuilibrit të lidhjeve dhe marrëdhënieve me BE-në, si aktori i tretë më i rëndësishëm në epokën e sotme!
Ndaj dhe deklarata e presidentit Xi Jinping për një lidhje Kinë-Amerikë si akt vendimtar për fatet e njerëzimit është jo vetëm e qëlluar, por reale dhe e rëndësishme për të ardhmen!