Kryeministri izraelit: Të hapur për pauza të shkurtra taktike në Gaza, por jo për armëpushim të plotë
2023-11-08 15:37:23

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të shqyrtojë mundësinë për pauza të shkurtra taktike në luftimet në Gaza, për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare, ose për të lejuar daljen e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit, shkruan “Panorama”.

Ai përsëriti refuzimin për një armëpushim të plotë, nëse nuk lirohen të gjithë personat që mbahen peng nga Hamasi.

“Mendoj se Izraeli do të ketë për një periudhë të pacaktuar përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme, sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi ne atë përgjegjësi”,- deklaroi Netanyahu në një intervistë për televizionin amerikan “ABC”.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi vdekjen e 1400 vetëve dhe pengmarrjen e 240 personave, Izraeli filloi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër Hamasit. Bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 10.000 persona në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi e kanë kundërshtuar presionin ndërkombëtar në rritje për një armëpushim. (Irma)