Presidenti polak cakton kryeministrin aktual për të formuar një qeveri të re
2023-11-08 14:44:45

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Presidenti polak Andrzej Duda emëroi kryeministrin aktual Mateusz Morawiecki si kreun e qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura muajin e kaluar, shkruan “Xinhua”.

“Pas konsultimeve të bëra, vendosa t’ia besoj misionin e formimit të qeverisë kryeministrit Mateusz Morawiecki. Vendosa të vazhdoj traditën e mirë parlamentare, ku partia fituese është e para që i jepet mundësia për të formuar një qeveri”,- deklaroi presidenti Duda.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 15 tetor, të cilat tërhoqën një numër rekord qytetarësh në qendrat e votimit, nuk prodhuan një parti të aftë për të formuar një qeveri të pavarur. Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila ka qenë në pushtet për dy mandate radhazi, siguroi pjesën më të madhe të votave, duke fituar 194 vende, por jo të mjaftueshme për të qeverisur në mënyrë të pavarur në Sejm-in prej 460 anëtarësh, Dhoma e Ulët e Parlamentit të Polonisë.  PiS e ka emëruar Morawieckin si zgjedhjen e tyre për të udhëhequr qeverinë e re. Grupimet e opozitës, duke përfshirë Koalicionin Qytetar, Rrugën e Tretë dhe të Majtën e Re, morën në tërësi 248 vende. Ata kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të formuar një qeveri koalicioni nën udhëheqjen e Donald Tusk, ish-president i Këshillit Evropian dhe ish-kryeministër polak.

Në përputhje me Kushtetutën polake, presidenti emëron kryeministrin, zakonisht nga partia fituese. Kryeministri më pas tenton të formojë një qeveri në seancën e ardhshme të Sejm-it, ku do të kërkojnë një votëbesim, e cila merret me shumicë votash. Në rast se nuk merret votëbesimi, presidenti, në përputhje me kushtetutën, është i detyruar t'ia besojë detyrën e formimit të qeverisë partisë së dytë fituese.

Seanca e parë e Sejmit është caktuar për më 13 nëntor. (Irma)