Foto nga CFP
Produkti i brendshëm bruto (PBB) real i Kinës parashikohet të rritet me 5.4 për qind në vitin 2023, bëri të ditur përmes një deklarate Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Ekonomia kineze është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e rritjes së qeverisë për vitin 2023, duke reflektuar një rimëkëmbje të fortë pas Covid-19”, thuhet në deklaratën e bërë nga zëvendësdrejtoresha menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, pas një vizite në Kinë, përcjell “Xinhua”.
Një ekip i FMN-së, i udhëhequr nga Sonali Jain-Chandra, shefi i Misionit për Kinën, vizitoi vendin nga 26 tetori deri më 7 nëntor, për të zhvilluar diskutime mbi Konsultimin e Nenit IV të vitit 2023. Ekipi zhvilloi diskutime konstruktive me zyrtarë të lartë nga qeveria, Banka Popullore e Kinës, përfaqësues të sektorit privat dhe akademikë për të shkëmbyer pikëpamje mbi perspektivat dhe rreziqet ekonomike, përparimin dhe sfidat e reformës dhe përgjigjet e politikave.
Në një konferencë shtypi në përfundim të misionit të martën në Pekin, Gopinath tha se projeksioni pasqyron një rishikim në rritje prej 0.4 pikë përqindje në 2023-shin në krahasim me Perspektivën Ekonomike Botërore të publikuar në tetor, për shkak të një rezultati më të fortë se sa pritej në tremujorin e tretë dhe njoftimet e fundit të politikave.
PBB-ja e Kinës u rrit me 4.9 për qind në tremujorin e tretë, një rritje prej 1.3 për qind krahasuar me tremujorin e dytë.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, ajo u rrit me 5.2 për qind në bazë vjetore në tre tremujorët e parë të vitit.
Kina ka nevojë vetëm për rritje të PBB-së prej 4.4 për qind në bazë vjetore në tremujorin e katërt për të përmbushur objektivin e saj vjetor të rritjes prej rreth 5 për qind.
Pas publikimit të të dhënave ekonomike të Kinës për tre tremujorët e parë, me performancën e tremujorit të tretë që ka tejkaluar pritshmëritë e tregut, një numër institucionesh financiare ndërkombëtare kanë shprehur optimizëm për perspektivën e rritjes së Kinës për vitin 2023. (Irma)