Ministri kinez i Mjedisit: Japonia duhet ta trajtojë shkencërisht dhe me përgjegjësi ujin e ndotur bërthamor
2023-11-07 21:07:08

 

Rezervuarët e magazinimit të përdorur për ruajtjen e ujit të ndotur bërthamor në centralin bërthamor Fukushima Daiichi të TEPCO në Okuma, prefektura Fukushima, Japoni, 24 gusht 2023. /CFP

Ministri kinez i Mjedisit i ka kërkuar Japonisë që të përmbushë me besnikëri detyrimet e saj ndërkombëtare, të angazhohet në konsultime të plota me palët e tjera të interesuara dhe ta trajtojë ujin e ndotur bërthamor në mënyrë shkencore dhe të përgjegjshme.

Duke vënë në dukje se lëshimi i ujit të ndotur bërthamor ka të bëjë me ekosistemin detar global dhe shëndetin publik, ministri i Ekologjisë dhe Mjedisit Huang Runqiu i bëri këto komente në ceremoninë e hapjes së Takimit të 24-t Trepalësh të Ministrave të Mjedisit midis Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut.

Delegacionet u kryesuan nga ministri Huang, homologët e tij japonezë Shintaro Ito dhe ai jugkorean Han Jeoung-ae. Në takim, ministrat e tre vendeve ndanë politikat përkatëse kombëtare dhe zhvillimet e fundit, duke shkëmbyer mendime mbi çështjet mjedisore rajonale dhe globale me interes reciprok.

Ministri kinez Huang Runqiu vuri në dukje në një konferencë shtypi pas takimit, të organizuar në qytetin japonez Nagoya nga e premtja e kaluar deri të shtunën, se Japonia duhet të krijojë menjëherë një mekanizëm afatgjatë monitorimi ndërkombëtar, i cili të përfshijë vendet përkatëse fqinje për të mbrojtur në mënyrë efektive ekosistemin detar global.

 

Një protestë për të nxitur qeverinë e Koresë së Jugut të ndalojë importin e produkteve detare japoneze, Seul, Koreja e Jugut, 2 nëntor 2023. /CFP

Njerëzit mblidhen për të protestuar ndaj vendimit të papërgjegjshëm të qeverisë japoneze për nisjen e lëshimit të ujit të ndotur bërthamor, përpara rezidencës zyrtare të kryeministrit japonez në Tokio, Japoni, 22 gusht 2023. /Xinhua

Takimi Trepalësh i Ministrave të Mjedisit midis Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut mbahet çdo vit që nga viti 1999 për të trajtuar çështjet e përbashkëta mjedisore për rajonin dhe nxitur rritjen e vazhdueshme. (Zhang Yan/Edmond)