Lufta Hamas-Izrael, Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Mbi 10.000 njerëz viktima
2023-11-07 10:22:10

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Numri i viktimave në Gaza që nga nisja e sulmeve nga Izraeli ka arritur në 10.022, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, shkruan “Panorama”.

Shifra vjen pas një nate sulmesh intensive izraelite, me ushtrinë izraelite që njoftoi se goditën qindra objektiva duke përfshirë një kompleks ushtarak të Hamasit.

Drejtori i spitalit më të madh në qytetin e Gazës i tha “BBC”-së se rreth 200 njerëz u vranë në sulm.

Një grup i agjencive humanitare të OKB-së dhe organizatave bamirëse kanë bërë të ditur se vrasjet e tmerrshme të civilëve në Gaza janë një mizori.

Mijëra fëmijë besohet të jenë në mesin e të vdekurve.

Izraeli filloi sulmet në Gaza pasi Hamasi vrau më shumë se 1400 persona në Izrael dhe rrëmbeu më shumë se 200 të tjerë më 7 tetor.

Sipas ushtrisë izraelite, operacioni i saj synon të shkatërrojë plotësisht Hamasin. (Fatosi)