Mëngjesin e 7 nëntorit, kryeministri kinez Li Qiang zhvilloi bisedime në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun australian Anthony Albanese, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Foto:Xinhua
Li Qiang tha se për bashkëpunimin Kinë-Australi ekziston një potencial i madh. Kina është e gatshme të punojë me Australinë për të ndjekur ligjet ekonomike dhe duke iu përmbajtur parimeve të tregut, për të konsoliduar dhe forcuar bashkëpunimin në fusha tradicionale si energjia dhe minierat dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në sfera të tjera si zhvillimi i gjelbër, ekonomia digjitale, risitë teknologjike dhe sektori shëndetësor. “Ne duhet të shmangim politizimin e çështjeve ekonomike dhe tregtare me pretekstin e sigurisë, të arrijmë zhvillim të përbashkët me leverdi të ndërsjellë për të nxitur prosperitetin rajonal. Kina është e gatshme të punojë me Australinë për të promovuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në arsim, kulturë dhe turizëm, qeveri lokale, rini etj.” - tha kreu i qeverisë kineze.
Albanese nga ana e tij tha se Kina është partnere e rëndësishme e Australisë dhe marrëdhëniet dypalëshe nuk duhet të përcaktohen nga dallimet. “Australia i përmbahet politikës së ‘një Kine’ dhe është e gatshme të shtojë mirëkuptimin e ndërsjellë me Kinën, të thellojë bashkëpunimin në tregti, investime, shkencë dhe teknologji, shkëmbime kulturore dhe ato njerëzore, të menaxhojë siç duhet dallimet përmes komunikimit dhe dialogut dhe t'i përballojë së bashku sfidat globale si ndryshimet klimatike, siguria ushqimore, krimi i organizuar transnacional, ruajtja e paqes dhe prosperitetit rajonal e botëror, duke çuar përpara partneritetin strategjik gjithëpërfshirës Australi-Kinë në mënyrë pozitive, të qëndrueshëm dhe konstruktiv. (Zhang Yan/Edmond)