Foto nga CFP
Një aeroplan jordanez hodhi nga ajri të dielën mbrëma pajisje mjekësore jetike dhe ushqim në një spital në Rripin e rrethuar të Gazës, rreth një muaj pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, njofton “RTSH”.
Lajmi u konfirmua të hënën nga Izraeli dhe Jordania. Ushtria e Izraelit njoftoi se u koordinua me Jordaninë që ajo ta furnizonte nga ajri spitalin.
Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe kontrollon çfarë futet dhe çfarë del prej saj. Javë më parë u arrit marrëveshje për lejimin e futjes së ndihmave humanitare përmes pikëkalimit të Gazës me Egjipit, Rafah, por në sasi të kufizuar.
Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulme në qytete të Izraelit jugor, duke i vrarë mbi 1400 persona, kryesisht civilë, dhe rrëmbeu mbi 240 të tjerë.
Prej atëherë, Izraeli po sulmon Rripin e Gazës nga ajri, deti dhe toka, në përpjekje për ta rrënuar Hamasin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila udhëhiqet nga Hamasi, mbi 10.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite. (Fatosi)