Guterres: Gaza është shndërruar në "një varrezë për fëmijë"
2023-11-07 21:34:07

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri të hënën thirrje urgjente për një armëpushim humanitar në Gazë, duke thënë se ajo po shndërrohet në një "varrezë" për qindra fëmijë palestinezë në ditë, pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit që nuk solli ndonjë rezultat.

Foto:VCG

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres(Foto:VCG)

"Rruga përpara është e qartë," u tha ai gazetarëve në Kombet e Bashkuara. "Një armëpushim humanitar. Tani."

Ai tha se të gjitha palët duhet gjithashtu të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe se asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin.

"Kjo do të thotë lirim i pakushtëzuar i pengjeve në Gaza - tani," tha ai duke iu referuar 240 personave që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit brenda Izraelit. "Unë nuk do të ndal kurrë përpjekjet për lirimin e tyre të menjëhershëm," shtoi ai.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zoti Guterres tha se respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar nënkupton gjithashtu mbrojtjen e civilëve – përfshirë që ata të mos përdoren si mburoja njerëzore – spitaleve, objekteve të OKB-së, strehat humanitare dhe shkollat në Gaza, si edhe rritjen e sasive të ndihmave dhe karburantit në territorin e rrethuar.

Të hënën, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se numri i të vdekurve palestinezë në territor kishte arritur në 10,000 që kur Izraeli filloi sulmet, në kundërpërgjigje të sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.

Organizatat ndërkombëtare kanë thënë se spitalet nuk mund të përballojnë të plagosurit dhe ushqimi dhe uji i pastër po mbarojnë, ndërsa ndihmat janë absolutisht të pamjaftueshme.