Foto:Xinhua
Pas përpjekjeve të përbashkëta të të dyja palëve, Kina dhe Australia kanë rifilluar shkëmbimet në fusha të ndryshme dhe kanë hyrë në rrugën e duhur drejt përmirësimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve, tha të hënën presidenti kinez Xi Jinping. Ai i bëri këto komente gjatë takimit me kryeministrin australian Anthony Albanese.
Ardhja e kryeministrit australian shënon vizitën e parë nga një lider australian që prej vitit 2016. Vizita e tij shënon gjithashtu 50-vjetorin e vizitës së parë në Kinë nga një kryeministër australian, Gough Whitlam, në vitin 1973.
Xi i tha kryeministrit Albanese se udhëtimi i tij në Kinë bazohet në të kaluarën dhe sjell të ardhmen. Si Kina ashtu edhe Australia janë vende në rajonin e Azi-Paqësorit dhe anëtare të rëndësishëm të G20-ës, të cilat nuk kanë ankesa historike apo konflikte thelbësore interesi me njëra-tjetrën. “Mund të jemi absolutisht partnerë të besimit të ndërsjellë dhe arritjeve reciproke.” - tha kreu i shtetit kinez.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që së bashku të ndërtojnë një marrëdhënie Kinë-Australi që paraqet barazi, duke kërkuar terren të përbashkët dhe lënë mënjanë dallimet për një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm dhe duke çuar përpara partneritetin e tyre gjithëpërfshirës strategjik. Xi vuri në dukje se kjo u shërben interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe popujve, përmbush pritshmëritë e përbashkëta të vendeve të rajonit dhe ndihmon komunitetin ndërkombëtar të përballet më mirë me rreziqet dhe sfidat.
Duke theksuar se ndërtimi i "oborreve të vogla me gardhe të larta", "shkëputja" dhe "ulja e rrezikut" janë proteksionizëm në thelb, i cili bie ndesh me ligjet e tregut dhe prirjen e zhvillimit të njerëzimit, Xi Jinping tha se Kina ndjek një strategji të hapjes me leverdi të ndërsjellë dhe nxit përtëritjen kombëtare përmes modernizimit kinez, i cili do të sjellë mundësi të paprecedentë për Australinë dhe vendet e tjera në botë.
Foto:Xinhua
Kina dhe Australia duhet të rrisin mirëkuptimin dhe besimin reciprok përmes bashkëjetesës paqësore dhe të arrijnë zhvillimin e përbashkët përmes bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm, theksoi Xi. Ai bëri thirrje që të dyja palët të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Australi, të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat në zhvillim si përballja me ndryshimet klimatike dhe ekonomia e gjelbër, të mbështesin sistemin global dhe rajonal të tregtisë së lirë dhe të ofrojnë një mjedis të shëndetshëm biznesi për investimet dhe funksionimet e kompanive të njëra-tjetrës.
Presidenti kinez theksoi gjithashtu se të dyja palët duhet të jenë vigjilente dhe të kundërshtojnë çdo përpjekje për ta futur rajonin e Azi-Paqësorit në kaos. Kina është e gatshme të kryejë më shumë bashkëpunim trepalësh dhe shumëpalësh me Australinë për të mbështetur vendet e Paqësorit të Jugut në forcimin e qëndrueshmërisë së rritjes, përballimin e ndryshimeve klimatike dhe sfidat e tjera, në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin e Azi-Paqësorit përmes hapjes e gjithëpërfshirjes, tha Xi.
Albanese u shpreh nga ana e tij se vitet e fundit, Kina ka bërë arritje të jashtëzakonshme në zbutjen e varfërisë. Australia dhe bota kanë përfituar ndjeshëm nga zhvillimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i Kinës. Ai tha se të dy palët duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën në bazë të respektit e barazisë me leverdi të ndërsjellë, të ruajnë komunikimin, të rrisin mirëkuptimin dhe bashkëpunimin për të realizuar më shumë rezultate reciprokisht të favorshme. Albanese tha se populli kinez ka të drejtën për zhvillim dhe ai është gjithmonë optimist për ekonominë e Kinës.
Meqenëse Australia dhe Kina kanë sisteme të ndryshme politike, është normale që ndodhin dallime, por ato nuk duhet të përcaktojnë marrëdhëniet. Australia dhe Kina ndajnë interesa të gjera të përbashkëta dhe dialogu e bashkëpunimi janë zgjidhja e duhur, tha ai.
Sipas tij, Australia i përmbahet politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të forcuar shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, për të rritur bashkëpunimin në energjinë e pastër dhe përballjen me ndryshimet klimatike në të mirë të të dy popujve. Ai shprehu gjithashtu, gatishmërinë për të avancuar komunikimin me Kinën për çështjet rajonale, duke përfshirë Forumin e Ishujve të Paqësorit. (Zhang Yan/Edmond)