Maqedonia e Veriut vijon të përdorë qeset plastike
2023-11-06 17:10:41

Foto Rtsh

Qeset plastike vazhdojnë të përdoren me shumicë në Maqedoninë e Veriut.

Tregtarët për të mbrojtur ambientin fillimisht respektuan ligjin dhe shisnin qese letre dhe lëndë të tjera. Por kostoja e tyre rëndonte buxhetin e qytetarëve dhe kjo masë ka humbur kuptimin e qëllimit fillestar, njofton “RTSH”.

Ministria maqedonase e Ekologjisë njoftoi se po ndjek standardet evropiane dhe se tani e tutje do të prodhohen qese bio të degradueshme.

Ambientalistët thonë se nga ana e shtetit, për të mbrojtur ambientin jetësor dhe për të ulur ndotjen e ajrit, qeset plastike janë të fundit.

Ndotësit më të mëdhenj janë industritë e rënda, ngrohjet me derivate fosile, siç është rasti i rreth 700 institucioneve publike në Maqedoninë Veriore, automjetet e vjetra pa standarde ekologjike dhe ngrohja e shtëpive.

Sipas tyre, pagesa e qeseve plastike më tepër është bërë për përfitime materiale të kompanive prodhuese, tregtuese dhe shitësit e tyre privatë. (Fatosi)