Rusia teston raketën balistike me kapacitet bërthamor dhe me rreze veprimi 8 mijë kilometra
2023-11-06 11:59:02

Foto Panorama

Rusia njoftoi se ka testuar me sukses një raketë balistike interkontinentale, me kapacitet për të bartur koka bërthamore, njofton “Panorama”.

Testimi i raketës “Bulava”, i pari në vitin e fundit, vjen pasi Rusia e ka ashpërsuar retorikën e saj bërthamore, qysh prej kur revokoi ratifikimin e një traktati që ndalon testimet bërthamore.

“Nëndetësja e re “Perandori Aleksandri i Tretë”, me raketa strategjike dhe kapacitet bërthamor, ka lançuar me sukses raketën balistike interkontinentale Bulava”,- njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Autoritetet ruse kanë thënë se e kanë nisur raketën nënujore prej një lokacioni të panjohur në Detin e Bardhë, drejt një shënjestre mijëra kilometra larg në Gadishullin Kamçatka.

Raketa 12-metërshe Bulava është dizajnuar për t’i përforcuar kapacitetet bërthamore të Rusisë dhe besohet se ka rreze veprimi prej 8000 kilometrash.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi këtë javë ligjin që revokon ratifikimin e traktit për testim të armëve bërthamore, veprim që është kritikuar ashpër prej Shteteve të Bashkuara.

Ky traktat i vitit 1996 ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore, përfshirë të gjitha testimet. (Fatosi)