Presidenti demokrat Joe Biden renditet pas kandidatit kryesues republikan Donald Trump në pesë nga gjashtë shtetet më të rëndësishme për betejën elektorale, një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet e publikuara të dielën duken si një reflektim i pakënaqësive në mesin e amerikanëve lidhur me moshën e Presidentit Biden apo gjendjen e ekonomisë.
Foto:VCG
Anketimet u bënë nga gazeta The New York Times dhe Kolegji Siena. Zoti Trump, i cili kryeson ndër kandidatët republikanë për të marrë emërimin si kandidat i kësaj partie për vitin 2024, kryeson në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nevada dhe Pensilvani, ndërsa Presidenti Biden kryeson në Uiskonsin. Presidenti Biden e mundi ish-Presidentin Trump në të gjashta këto shtete në zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump merr tashmë mesatarisht nga 44 – 48% mbështetje në këto shtete, thuhet në anketime.
Megjithëse anketimet që masin nivelin e mundshëm të votave në nivel kombëtar kanë treguar vazhdimisht një garë të afërt mes zotit Biden dhe zotit Trump, zgjedhjet presidenciale normalisht përcaktohen nga rezultatet në disa shtete, të mbiquajtura të lëkundura.
Fitorja e zotit Biden në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin – të gjitha shtete të lëkundura ku pati fituar zoti Trump në vitin 2016 – ishte vendimtare për fitoren e tij në vitin 2020. Zotit Biden do t’i duhet ndoshta të fitojë në disa prej këtyre shteteve për të siguruar rizgjedhjen.