Presidenti ukrainas: Presim fillimin e negociatave të pranimit në BE këtë vit
2023-11-06 17:00:54

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kiev, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pret që negociatat e pranimit në BE të fillojnë këtë vit, shkruan “ATSH”.

“Dëgjova sinjale pozitive nga presidentja e Komisionit Evropian në lidhje me progresin tonë drejt fillimit të negociatave”,- tha Zelensky në një videomesazh.

Presidentja e KE-së konfirmoi progresin e Ukrainës, e cila është mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se 20 muaj.

Liderët e BE-së pritet të vendosin për fillimin e negociatave të pranimit në dhjetor.

Në fjalën e tij, Zelensky theksoi se ukrainasit duhet të mësohen me integrimin në BE.

“Nuk është çështja që BE-ja t’i diktojë asgjë Ukrainës”, theksoi Zelensky, duke iu referuar luftës kundër korrupsionit, për të cilën Brukseli e ka kërkuar vazhdimisht.

Pavarësisht konfliktit në vazhdim, Ukrainës iu dha statusi i kandidatit në BE me shpejtësi rekord dhe tani ka krijuar gjithashtu kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim. (Fatosi)