SHBA-ja synon të ndërtojë bombë bërthamore dhjetëra herë më të fuqishme se e Hiroshimës
2023-11-06 12:01:39

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi për kërkimet që po bëhen për të ndërtuar një bombë bërthamore që pritet të jetë rreth 24 herë më e fuqishme se ajo e hedhur në Hiroshima të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, njofton “RTSH”.

Pentagoni po kërkon miratimin dhe financimin nga Kongresi për të prodhuar një variant modern të bombës së gravitetit bërthamor B61, që do të emërtohet “B61-13”, sipas një njoftimi për shtyp nga Departamenti i Mbrojtjes (DoD), transmeton “Foxnews”.

“Njoftimi reflekton një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë dhe kërcënime në rritje nga kundërshtarët e mundshëm”, deklaroi ndihmëssekretari i Mbrojtjes për Politikat Hapësinore, John Plumb.

“Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësinë të vazhdojnë të vlerësojnë dhe të vënë në dispozicion aftësitë që na nevojiten për të penguar në mënyrë të besueshme dhe, nëse është e nevojshme, për t’iu përgjigjur sulmeve strategjike dhe për të siguruar aleatët tanë”,- theksoi ai.

Ngarkesa është 24 herë më e madhe se bomba e hedhur në Hiroshimë, Japoni, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte rreth 15 kiloton. B61-13 do të ishte gjithashtu rreth 14 herë më e madhe se bomba e hedhur në Nagasaki, e cila ishte 25 kilotonë.

Sipas të dhënave, bomba e re e fuqishme gjithashtu do të përfshijë veçoritë moderne të sigurisë dhe saktësisë së B61-12. (Fatosi)