Ushtria izraelite bombardon kampin e refugjatëve, dhjetëra të vrarë
2023-11-06 11:19:37

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ushtria izraelite vijoi edhe këtë fundjavë bombardimin e objektivave ku fshihen militantët e grupit palestinez Hamas, por zyrtarët në Gaza thanë se sulmi la më shumë se 30 të vrarë në një kamp refugjatësh, njofton “RTSH”.

Agjencia palestineze e lajmeve “Wafa” raportoi më herët se bombardimi në kampin e al-Magazit shkaktoi mbi 50 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë.

Sulmi ajror pason dy goditjet e mëparshme në kampet e refugjatëve të Xhabalias dhe Bureit, për të cilët zyrtarët palestinezë thonë se u vranë më shumë se 200 persona.

Bombardimet e fundit erdhën pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan të shtunën thirrjet e vendeve arabe për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin gati njëmujor Izrael-Hamas.

Në një konferencë shtypi me homologët jordanezë dhe egjiptianë, kryediplomati amerikan, Antony Blinken, tha se një armëpushim i plotë do të linte Hamasin në vend për t'u riorganizuar dhe për të përsëritur sulmet.

Administrata amerikane ka propozuar pauza humanitare për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave në Gazë dhe lirimin e pengjeve që po mban Hamasi.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se lufta me kundërshtarët palestinezë mund të ndërpritet vetëm nëse përfshihet lirimi i më shumë se 240 izraelitëve dhe të huajve që besohet se janë marrë peng nga grupi i armatosur palestinez.

Nga 7 tetori, rreth 9500 palestinezë janë vrarë në Gaza, qëkur Izraeli nisi fushatën për të eliminuar Hamasin. Edhe Izraeli ka raportuar mbi 1400 të vrarë dhe më shumë se 240 të tjerë të marrë peng gjatë sulmit të befasishëm të Hamasit në Izraelin jugor, pikënisja e gjithçkaje. (Fatosi)