Stuhia “Ciaran” përfshiu Greqinë me erëra të forta, shi e përmbytje
2023-11-06 11:36:53

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Stuhia “Ciaran” që përfshiu thuajse gjithë Evropën, duke shkaktuar viktima dhe dëme të shumta materiale, përfshiu dhe Greqinë, me reshje të dendura shiu dhe furtunë në zonën e Epirit dhe ishujt në Egjeun verior e lindor, njofton “RTSH”.

Moti i keq ka shkaktuar probleme në shumë zona. Pemët e rrëzuara ndërprenë trafikun rrugor në ishullin Evia dhe gjithashtu çuan në ndërprerje të energjisë. Rënia e pemëve bllokoi linjën hekurudhore midis Afidnes dhe Agios Stefanos në veri të Atikës, ndërsa trafiku rrugor u bllokua të shtunën, duke izoluar disa fshatra malorë në rajonin e Trikalës.

Shumica e anijeve në bregdetin grek nuk janë lejuar të dalin në det dhe kushtet janë aq të vështira sa portet si Rafina dhe Lavrioni kanë pezulluar të gjitha operacionet.

Shirat më të forta ranë këtë fundjavë në Epir, duke arritur kategorinë 4, e cila konsiderohet si një nivel i lartë alarmi, ndërsa erërat në Detin Egje tejkaluan nivelin 8 në shkallën Beaufort. (Fatosi)