Presidentja e KE-së: Ukraina përmbushi pothuajse të gjitha kërkesat për anëtarësim në BE
2023-11-06 11:38:43

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ukraina ka përmbushur pothuajse plotësisht kërkesat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në Kiev, njofton “ATSH”.

“Është bërë nje progres shumë më i madh nga sa mund të pritej nga një vend në situatë të vështirë konflikti. Më duhet të them se keni bërë përparim të shkëlqyer. Kjo është mbresëlënëse”,- tha von der Leyen pas një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksy.

“Ju jeni mes një konflikti të armatosur dhe në të njëjtën kohë po reformoni thellësisht vendin tuaj. Ju keni arritur shumë pika duke reformuar sistemin e drejtësisë, duke frenuar kontrollin e oligarkëve, duke luftuar pastrimin e parave dhe shumë më tepër”, tha ajo.

Von der Leyen mbërriti në Ukrainë në vizitën e saj të gjashtë që pas nisjes së konfliktit me Rusinë në shkurt 2022.

“Ky është rezultat i punës së palodhur dhe unë e di që ju jeni në procesin e përfundimit të reformave të jashtëzakonshme”, tha von der Leyen.

Ajo theksoi se Ukraina ka bërë përparim të madh në modernizimin e ekonomisë së saj. (Fatosi)