Kina mbështet popullin kuban në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit kombëtar. Kështu tha presidenti kinez Xi Jinping gjatë takimit të së hënës në Pekin me kryeministrin kuban Manuel Marrero Cruz.
Foto:VCG
Sipas tij, Kina dhe Kuba janë miq, shokë dhe vëllezër të mirë, të cilët kanë përparuar në rrugën e socializmit me karakteristika kombëtare, duke përkrahur njëri-tjetrin në problemet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore reciproke. “Kina do të vazhdojë ta mbështesë me vendosmëri popullin kuban në kundërshtimin e ndërhyrjes dhe bllokadës së huaj dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit kombëtar.” - shtoi kreu i shtetit kinez.
Në takim, Xi Jinping ftoi palën kubane të marrë pjesë në ndërtimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”, duke thelluar bashkëpunimin me Kinën në fusha si bujqësia, turizmi, shëndetësia, shkenca e teknologjia, telekomunikacioni etj. Ai tha se mirëpret futjen në tregun kinez të më shumë produkteve kubane, duke shfrytëzuar edhe platforma si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës etj. Xi vlerësoi rolin e Kubës në organizimin e suksesshëm të Samitit G77+Kinë në shtatorin e këtij viti, duke shprehur gatishmërinë për të bërë përpjekje të përbashkëta me palën kubane në ruajtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të vendeve në zhvillim.
Ndërsa, nga ana e tij, Manuel Marrero Cruz e falënderoi Kinën për ndihmat e saj, të cilat kanë një domethënie të rëndësishme për Kubën në kapërcimin e vështirësive dhe zhvillimin e socializmit. Kreu i qeverisë kubane tha se Kuba është e gatshme të forcojë më tej bashkëpunimin me Kinën, për t’u sjellë më shumë mirëqenie dy popujve. “Pala kubane do të ndërtojë së bashku me Kinën ‘Një brez, një rrugë’ me cilësi të lartë, për të thelluar bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme, intensifikuar komunikimin dhe koordinimin për çështjet ndërkombëtare e rajonale, për të kundërshtuar bashkërisht hegjemoninë dhe dhunën e çdo lloji, për të mbrojtur drejtësinë e barazinë ndërkombëtare.” - tha Manuel Marrero Cruz. (Zhang Yan/Edmond)