foto/VCG
Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi veçmas 50 milionë dollarë dhe 10.4 milionë dollarë amerikanë fonde për të mbështetur përgjigjet shëndetësore në Gaza dhe Liban, pas përshkallëzimit të tensioneve me Izraelin.
Apeli erdhi pas takimit të drejtorit rajonal të OBSH-së për Mesdheun Lindor, Ahmed Al-Mandhari, në kryeqytetin e Libanit Bejrut, me zyrtarë dhe stafin e OBSH-së, për të përforcuar gatishmërinë e sistemit shëndetësor nëse ndodh një përhapje e mundshme e konfliktit, shkruan “Xinhua”.
foto/VCG
“Një përhapje e shtuar e armiqësive në Libanin jugor do të vendoste edhe më shumë civilë në rrezik vdekjeje ose lëndimi dhe potencialisht do të kërcënonte sigurinë shëndetësore të të gjithë rajonit”,- deklaroi Al-Mandhari në një deklaratë të publikuar nga Qendra e Informacionit e Kombeve të Bashkuara në Bejrut.
Deklarata shprehu mbështetjen e OBSH-së për planin e Libanit për të krijuar Qendrën Operative Emergjente të Shëndetit Publik, për të koordinuar dhe mbështetur të gjitha aktivitetet e gatishmërisë dhe reagimit shëndetësor.
Al-Mandhari theksoi gjithashtu ndihmën e OBSH-së për tetë spitale libaneze për të rritur kapacitetin e tyre për pacientët.
foto/VCG
Tensionet në kufirin Liban-Izrael u përshkallëzuan kur Hezbollahu gjuajti me raketa pozicionet ushtarake izraelite më 8 tetor në mbështetje të Hamasit, i cili kishte nisur një sulm të befasishëm ndaj Izraelit një ditë më parë. Izraeli u kundërpërgjigj me zjarr të rëndë artilerie dhe sulme ajrore, duke synuar zona të shumta në Libanin jugor. (Irma)