foto/VCG
Para se të fillonte lufta Izrael-Hamas, objektivat e Presidentit Joe Biden për politikën e jashtme në Lindjen e Mesme ishin integrimi i mëtejshëm i Izraelit me fqinjët e tij arabë dhe frenimi i përpjekjeve të Iranit për të prodhuar armë bërthamore. Këto synime tani mund të jenë në rrezik ndërsa ai përqendrohet në përpjekjet për të frenuar përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas në vende të tjera të rajonit, që mbështeten nga Irani, si Libani, Jemeni dhe Siria.
Presidenti Biden ka biseduar nëntë herë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që nga fillimi i konfliktit, tha një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane gjatë një konference me gazetarët. Zyrtari amerikan tha se Presidenti Biden ka biseduar edhe me udhëheqësit e Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite, ndërsa këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan është angazhuar “pothuaj çdo ditë” me partnerët e Shteteve të Bashkuara në rajon.
Ndërsa kryeqytetet e vendeve arabe janë përfshirë nga protesta kundër Izraelit, zyrtarët amerikanë besojnë se furnizimi i civilëve palestinezë në Rripin e Gazës me ndihma humanitare është një faktor kyç në përpjekjet për të frenuar përhapjen e luftës.