foto nga VCG
Mbi 165.000 afganë janë larguar nga Pakistani gjatë këtij muaji, qëkur vendi lëshoi një ultimatum për rreth 1.7 milionë persona që të largohen ose do të përballen me arrestim apo dëbim, thanë zyrtarët lokalë, raporton “RTSH”.
Shumica janë larguar ditëve të fundit, pasi afati i fundit ishte më 1 nëntor dhe policia nisi të hapte dhjetëra qendra të ndalimit për të dërguar afganët e arrestuar.
Zyrtarët në pikën kufitare Torkam në provincën Kiber Paktunkva, punuan me orare të zgjatura që të kalonin makinat me mijëra persona. Kolona e makinave ishte e gjatë rreth 7 kilometra.
foto nga VCG
Autoritetet në Pakistan kanë inkurajuar afganët që nuk kanë dokumente të qëndrimit që të largohen në mënyrë vullnetare, ndërsa policia ka nisur operacionet e kërkimit.
Miliona afganë ishin larguar për në Pakistan dekadave të fundit për shkak të dhunës në shtetin e tyre. Vlerësohet se 600.000 afganë janë larguar qëkur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021 dhe vendosën kufizime të ashpra.
Pakistani njoftoi se dëbimi i afganëve po bëhej për të mbrojtur sigurinë e shtetit, pasi së fundi janë rritur ndjeshëm sulmet, për të cilat qeveria pakistaneze ka fajësuar militantët që operojnë nga Afganistani.
foto nga VCG
Ambasada afgane në Islamabad bëri të ditur se ky vendim do të dëmtojë edhe më tej raportet mes dy shteteve fqinje.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar qeverinë pakistaneze se po përdor kërcënimet, abuzimet dhe ndalimet për të detyruar azilkërkuesit afganë që të largohen. Po ashtu është raportuar se javët e fundit ka pasur arrestime arbitrare të afganëve. (Irma)