Panairi i Kantonit, një mundësi bashkëpunimi për sipërmarrjen shqiptare
2023-11-03 11:32:35

Në dy sesione, në pranverë dhe vjeshtë, qyteti i Guanzhou-t në Kinën jugore bëhet shtëpia e panairit më të madh në botë të importeve dhe eksporteve. Sivjet zhvillohet edicioni i 134-t i kësaj platforme shkëmbimesh të tregtisë së jashtme të Kinës, por dhe vitaliteti i ekonomisë së saj, cilësia e mallrave dhe shërbimeve, permes teknologjisë moderne.

Panairi i importit dhe eksportit të Kinës është themeluar në vitin 1957. I bashkorganizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Qeveria Popullore e provincës Guangdong si dhe nga Qendra e Tregtisë së Jashtme të Kinës, mbahet çdo pranverë dhe vjeshtë në Guangzhou. Panairi i Kantonit është një ngjarje gjithëpërfshirëse tregtare ndërkombëtare me historinë më të gjatë, shkallën më të madhe, shumëllojshmërinë më të plotë të produkteve, pjesëmarrjen më të madhe të blerësve, shpërndarjen më të gjerë të blerësve nga vendi i origjinës dhe qarkullimin më të madh të biznesit në Kinë. Pas rifillimit të plotë të pavioneve të tij me prani fizike, për herë të parë që nga koha e shpërthimit të pandemisë së Covid-19, ai përfaqësoi panairin më të madh tregtar të organizuar ndonjëherë në botë. Edhe kompanitë shqiptare kanë qenë të pranishme ndër vite në hapësirat e këtij panairi, duke marrë pjesë dhe në edicionin e vjeshtës.

Expo e Panairit të Kantonit (Foto China Trade Fair)

Expo e Panairit të Kantonit (Foto China Trade Fair)

Sekretarja e përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Albana Laknori, në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, e vlerëson këtë panair si një mundësi për shtimin e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës.

CMG: Pas pandemisë Covid-19 shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës kanë shënuar rritje. Si e vlerësoni nivelin e këtyre shkëmbimeve dhe a ka mundësi për zgjerimin e tyre?

Albana Laknori: Marrëdhëniet me Kinën janë në rritje pas 2020, ndonëse kanë qenë po kaq të mira edhe para pandemisë Covid 19. Pas një pushimi të madh të detyruar prej pandemisë, bizneset rinisën punën me shumë vrull, duke ndihmuar zhvillimin e vendeve në stopimin që u bë.

Pamje nga mjediset e Panairit të Kantonit (Foto Canton Fair)

Pamje nga mjediset e Panairit të Kantonit (Foto Canton Fair)

Si Dhomë Tregtie jemi të parët në promovimin e bizneseve shqiptare jashtë vendit, por gjithashtu edhe në promovimin e bizneseve të huaja që vijnë në Shqipëri, sidomos nga Kina. Përpara pandemisë morëm pjesë në një aktivitet fantastik në shkurt të vitit 2019, në kuadër të Mekanizmit të Bashkëpunimit 17+1, me bashkëpunimit Bashki-Dhomë Tregtie. Të gjitha vendet e Ballkanit, bashkitë dhe dhomat e tregtisë bashkë me Bashkinë e Pekinit zhvilluan aktivitete fantastike. Për fat të keq nuk arritën të vazhdoheshin për shkak të pandemisë. Erdhën këtu rreth 300 kompani kineze bashkë me kryetarin e Bashkisë së Pekinit dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi midis bashkive dhe dhomave të tregtisë përkatëse. Kjo pati si qëllim përmirësimin e klimës së biznesit.

Aktualisht jemi në një fazë kur eksportet janë rritur dhe importet janë në nivel të mirë. Për Shqipërinë kryesore janë industria  nxjerrëse, tekstilet dhe po mendohet që dhe me ndihmën e qeverisë shqiptare produktet tona ushqimore të shkojnë drejt Kinës. Ky është një trend rritës shumë i mirë. Aktualisht Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mbështet Panairin e Kantonit, ndër më të mëdhenjtë panaire në botë. Dy ose tre kompani shqiptare duhet të kenë shkuar tashmë në këtë panair.

CMG: Panairi po zhvillohet në edicionin e vjeshtës. Kemi mësuar se në eventin me Grupin Euroazia, që ishte promovues i Panairit të Kantonit në Shqipëri para pak kohësh, ju mbajtët një fjalë përshëndetëse. Një pjesëmarrje konstante në panairet e ndryshme në Kinë ka pasur kompania “Morava”. Në ceremoninë e promovimit të Panairit të Kantonit në Tiranë, atasheja tregtare e Ambasadës së Kinës në Shqipëri bëri të ditur se që nga shtatori prodhimet e mjaltit të kësaj kompanie kanë hyrë në tregun kinez. Gjykoni se për produktet ushqimore është më e lehtë të ekspozohen në Kinë dhe të bëhen pjesë e tregut të madh kinez?

Poster Panairi i Kantonit (Foto Canton Fair)

Poster Panairi i Kantonit (Foto Canton Fair)

Albana Laknori: Absolutisht do të ketë, por nuk bëhet fjalë vetëm për produkte ushqimore. Produkte të tjera në marrëdhëniet tona të biznesit janë ekonomia digjitale, green economy (ekonomia e gjelbër), produktet elektronike, bashkëpunimet tona për elektroshtëpiaket, produktet digjitale, të telefonisë. Kështu që marrëdhëniet janë dhe do të jenë edhe më të mira.

CMG: Në Shqipëri po flasim gjithnjë e më shumë për turizmin. A mund ta quajmë turizmin një produkt të këtyre shkëmbimeve?

Albana Laknori: Absolutisht po. Janë pritur grupe turistike nga Kina, por kanë filluar dhe grupe turistike shqiptare të shkojnë në Kinë. Kjo është një gjë shumë e mirë. Në 2023 kemi vënë re një rritje të trendit të turizmit tonë, sidomos të agroturizmit. Edhe me Kinën pritet një rritje e këtij trendi.

CMG: Mendoni se do të ishte më frytdhënëse nëse do të organizoheshin paketa turistike të Ballkanit Perëndimor për turistët nga Kina?

Albana Laknori: Është e vërtetë. Ne sapo kemi dalë nga një takim i organizuar nga Kooperacioni Gjerman GIZ se si Ballkani Perëndimor, si pjesë e CEFTA-s, të kenë mundësi kompanitë turistike të shoqërojnë grupimet në të njëjtën mënyrë siç  bëhet në Shqipëri edhe në Malin e Zi, Kroaci, Kosovë apo Bosnjë-Hercegovinë. Kjo është e mrekullueshme, sepse ne tashmë jemi një grup dhe jemi vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kompanitë turistike treguan problematikat në rajon, në mënyrë që edhe “hosting” të bëhet njëlloj, me të njëjtat cilësi në hotelet e tyre dhe të tonat. Kjo është e bukur, sepse bregdeti ynë vazhdon në Mal të Zi, Kroaci ndaj turistët nuk rrinë vetëm këtu.

CMG: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ishte pjesë e promovimit të Panairit të Kantonit në Tiranë, e iniciuar nga Grupi Euroazia. Mendoni se do të ndikojë ky promovim në shtimin e numrit të bizneseve shqiptare në këtë platformë?

Sekretarja e përgjithëshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Albana Laknori në intervistë për CMG

Sekretarja e përgjithëshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Albana Laknori në intervistë për CMG

Albana Laknori: Kur Grupi Euroazia na ftoi, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka, Asambleja dhe kryesia e Dhomës pranuan të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit, sepse në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë ka shërbime, ka import-eksport dhe ndërtues. Këta janë të interesuar dhe ne publikuam në të gjitha web-et tona, në rrjetet sociale, çuam “news letters” si dhe informuam kryesinë dhe anëtarësinë e Dhomës për Panairin, duke i pyetur nëse ishin të interesuar të merrnin pjesë. Ne jemi lehtësues në këtë bashkëpunim dhe mendoj që bëmë mirë, sepse filluan të interesoheshin ku zhvillohet, si organizohet apo çfarë kostosh ka. Bashkëpunimi ishte një “network” midis Grupit Euroazia, Panairit të Kantonit dhe vetë Ambasadës së Kinës, e cila ishte promotore. Kjo është gjëja më e bukur, sepse jemi në të njëjtën linjë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin që të bashkëpunojmë me interes të ndërsjellë. Ky panair synon që bizneset të realizojnë kontrata shitjesh dhe kontrata bashkëpunimi. E quaj pozitive.

CMG: Në mbyllje të vitit, si paraqitet veprimtaria e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe cilat janë synimet për 2024-n?

Albana Laknori: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është zëri parësor i biznesit në Shqipëri. Ne përfaqësojmë rreth 44 për qind të biznesit në vend, që do të thotë se Dhoma e kryeqytetit shqiptar, me një “network” rajonal, evropian dhe ndërevropian, të gjitha takimet i zhvillon në nivel qeveri qendrore, qeveri lokale dhe biznesi. Që zëri i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të ndihet punojmë ngushtë me Asamblenë, si dhe kemi bashkëpunim me organizata biznesi dhe ndërmarrin aksione konkrete në promovimin e sektorit prodhues. Synimi ynë është të rriten anëtarët dhe të menaxhojmë projekte. Aktualisht Dhoma jonë ka 14 projekte evropiane, si IPA ndërrajonale, projekte ndërkufitare, që na ndihmojnë në mbështetjen e bizneseve, në rritjen e tyre jo vetëm aktuale por dhe të start up-eve.

Zëri i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë do të ndihet akoma më shumë në adresë të qeverisë në lidhje me përmirësimin e kuadrit rregullator procedural, në përmirësimin e klimës së investimeve, të të bërit biznes, në nxitjen e projekteve investuese dhe veçanërisht me efekt në ekonominë e gjelbër, për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë e rinovueshme, si dhe në ekonominë digjitale që Shqipëria ka shumë nevojë.

CMG: Pavarësisht se realiteti global ka problematika, jeni optimistë për veprimtarinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në vitin 2024?

Albana Laknori: Jemi optimistë, sepse Ballkani të ardhmen e ka në Bashkimin Evropian dhe biznesi është faza e parë, përballimi i parë me të ardhmen, ndaj jam pozitive për këtë.

Intervistoi: Eda Merepeza