Udhëheqësi suprem i Iranit u kërkon shteteve myslimane të ndalojnë eksportet e naftës në Izrael
2023-11-03 18:54:36

Udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei  (Foto RTSH)

Udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei  (Foto RTSH)

Udhëheqësi suprem i Iranit u kërkoi qeverive të vendeve myslimane të bashkohen dhe të kërkojnë përfundimin e menjëhershëm të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, duke ndërprerë eksportet e naftës dhe lidhjet ekonomike me Izraelin.

Deklarata e Ali Khamenei u bë në një takim me studentët në Teheran, tre ditë para përvjetorit të marrjes së Ambasadës së SHBA-së në vitin 1979 nga studentët iranianë, sipas një deklarate në faqen e tij të internetit.

Ai gjithashtu u bëri thirrje shteteve myslimane që të dënojnë veprimet e Izraelit dhe kritikoi SHBA-në, Francën dhe Britaninë për qëndrimet e tyre në konfliktin Izrael-Hamas, citon “Xinhua”.

“Maska e rreme e të drejtave të njeriut e mbajtur nga perëndimorët është hequr”, - tha udhëheqësi iranian.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit ka vrarë më shumë se 8500 palestinezë në Gaza dhe të paktën 1400 izraelitë, sipas shifrave zyrtare nga të dyja palët.

Më 7 tetor, Hamasi filloi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit, duke lëshuar mijëra raketa dhe duke u infiltruar në territorin izraelit, ndërsa Izraeli u përgjigj me sulme ajrore, operacione tokësore dhe masa ndëshkuese që përfshinin një rrethim në Rripin e Gazës. (Elona)