CFP
UNICEF-i ka ngritur alarmin se më shumë se 400 fëmijë po vriten ose plagosen çdo ditë në Gaza dhe përsëriti thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Sipas UNICEF-it, rreth 3500 fëmijë raportohet se janë vrarë dhe më shumë se 6800 fëmijë thuhet se janë plagosur gjatë 25 ditëve të bombardimeve të vazhdueshme që nga 7 tetori, citon “Panorama”.
“Fëmijët kanë duruar shumë. Vrasja dhe robërimi i fëmijëve duhet të ndalet. Fëmijët nuk janë objektiv”,- thuhet në deklaratën që u publikua pas ditës së dytë radhazi të sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite në kampin e refugjatëve Jabalya në Gazën veriore.
“Skenat e masakrës nga kampi Jabaliya në Rripin e Gazës pas sulmeve janë të tmerrshme”,- bëri të ditur UNICEF.
Agjencia e OKB-së njoftoi se nuk ka ende vlerësime për numrin e vdekjeve të fëmijëve në kamp. Ushtria izraelite nga ana tjetër ka pretenduar se shënjestroi dhe vrau disa militantë të Hamasit në kamp dhe thotë se po bën gjithçka që mundet për të minimizuar viktimat civile.
Hamasi ndërkohë mohoi me forcë praninë e një prej komandantëve të tij në kamp.
CFP
Sipas UNICEF-it, kampet e refugjatëve mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar dhe palët në konflikt kanë detyrime të respektojnë dhe mbrojnë civilët nga sulmet.
“UNICEF-i përsërit thirrjen e tij urgjente për të gjitha palët në konflikt për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, për të garantuar mbrojtjen e të gjithë fëmijëve dhe për akses të sigurt dhe të papenguar humanitar për të ofruar ndihma jetëshpëtuese në të gjithë Rripin e Gazës, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”,- thuhet në deklaratë. (Elona)