Platforma e mësimit të gjuhës kineze përdoret gjerësisht jashtë shtetit
2023-11-03 17:54:12

Një platformë mësimore e gjuhës kineze ka tërhequr mbi 10 milionë përdorues nga 187 vende dhe rajone deri në fund të tetorit, sipas një zyrtari nga Aleanca Globale e Mësimit Kinezisht.

Mësimi i gjuhës kineze është shtuar në mbarë botën vitet e fundit me zgjerimin e shkallës së përdoruesve të platformës dhe përmirësimin e paraqitjes së produktit përkatës, tha Pan Zeliang në një konferencë vjetore të aleancës të mbajtur së fundmi në provincën Shandong të Kinës lindore.

Nisur më 25 tetor 2019, platforma globale është një platformë mësimi në internet e zhvilluar nga kompania kineze “iFLYTEK” nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Komisionit Shtetëror të Gjuhëve.

Duke shfaqur aplikimin e inteligjencës artificiale, një bazë të dhënash masive të materialeve mësimore kineze dhe një përvojë gjithëpërfshirëse të të mësuarit, platforma u ka mundësuar përdoruesve të saj të mësojnë gjuhën kineze me ritmin e tyre në skenarë të ndryshëm të jetës reale, shkruan “Xinhua”.

Ajo ka zhvilluar një aplikacion celular që mbështet gjashtë gjuhë për të ofruar shërbime mësimore në shkallë të gjerë për përdoruesit, duke përfshirë fëmijët parashkollorë, nxënës të shkollave në nivele të ndryshme dhe nxënës të rritur.

Kina do të zhvillojë më tej platformën globale të të mësuarit kinezisht në një motor të teknologjisë shkencore për popullarizimin e kësaj gjuhe, një platformë inovative për komunikimin ndërkombëtar dhe një kanal për promovimin e kulturës tradicionale kineze, sipas zyrtarëve në konferencë.

Aleanca globale e të mësuarit kinezisht u krijua në tetor 2019 nga një grup universitetesh, institutesh kërkimore, ndërmarrjesh dhe organizatash kineze të dedikuara për t'u shërbyer nxënësve kinezë. Aktualisht ajo ka 50 anëtarë. (Elona)