Foto nga VCG
Delegacioni kinez pjesëmarrës në Samitin e Sigurisë së AI-së në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë thirrje për shkëmbime dhe bashkëpunim midis vendeve për sigurinë e inteligjencës artificiale (AI) dhe çështjet e qeverisjes ndërkombëtare.
Wu Zhaohui, zv.ministri i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës, foli në seancën plenare të hapjes së samitit të mërkurën, ndërsa delegacioni kinez mori pjesë në diskutimet mbi sigurinë e AI-së dhe çështje të tjera.
Delegacioni kinez promovoi Nismën e Qeverisjes Globale të Inteligjencës Artificiale të Kinës, të shpallur në Forumin e tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë” të mbajtur në Pekin më 18 tetor, dhe do të zhvillojë bisedime dypalëshe me vendet përkatëse.
Delegacioni nënvizoi se samiti ofron një platformë të rëndësishme për dialog dhe mundësi për shkëmbime e bashkëpunim ndërmjet vendeve për çështjet e sigurisë së AI-së dhe qeverisjes ndërkombëtare.
Delegacioni kinez shfaqi mendimin se qeverisja e AI-së ka një ndikim në fatin e të gjithë njerëzimit dhe është një detyrë që duhet trajtuar nga vendet në mbarë botën.
Kina nënvizoi në samit se gjatë zhvillimit të AI-së vendet duhet të mbrojnë në mënyrë aktive parimet e vënies së njerëzve në qendër dhe zhvillimin e AI-së për qëllime të mira, të forcojnë menaxhimin dhe kontrollin e rrezikut të teknologjisë dhe të inkurajojnë të gjitha palët që të bashkëpunojnë dhe të qeverisin së bashku në bazë të parimeve të respektit reciprok, barazisë dhe përfitimeve të ndërsjella.
Delegacioni kinez u bëri thirrje të gjitha palëve që të rrisin përfaqësimin e vendeve në zhvillim në qeverisjen globale të AI-së dhe të kapërcejnë vazhdimisht hendekun e inteligjencës dhe të kapacitetit të qeverisjes. (Çang Çuo)