Inflacioni vjetor në Eurozonë duhet të bjerë në 2.9 për qind në tetor, krahasuar me 4.3 për qind në shtator, nivelet më të ulëta në më shumë se dy vjet. Ndërkohë, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Eurozonës ra me 0.1 për qind gjatë tremujorit të tretë të 2023-shit, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sipas raportit të publikuar nga Eurostati, citon “Xinhua”.
Inflacioni në Eurozonë është ende i nxitur nga ushqimi, alkooli dhe duhani, me inflacionin bazë vjetor prej 7.5 për qind.
Çmimi i shërbimeve shënoi inflacion prej 4.6 për qind në bazë vjetore në tetor, ndërsa mallrat industriale joenergjetike u ulën në 3.5 për qind të normës vjetore të inflacionit dhe çmimi i energjisë në -11.1 për qind.
Vendet me normat më të ulëta të inflacionit vjetor përfshijnë Belgjikën me -1.7 për qind, Holandën me -1 për qind dhe Italinë me 1.9 për qind. Normat më të larta të inflacionit në bazë vjetore janë shënuar në Sllovaki me 7.8 për qind, në Kroaci me 6.7 për qind dhe në Slloveni me 6.6 për qind.
Në tremujorin e tretë të vitit 2023, PBB-ja e rregulluar sezonalisht u rrit me 0,1 për qind në Bashkimin Evropian (BE), krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e dytë të vitit 2023, PBB-ja u rrit me 0.2 për qind në zonën e euros dhe mbeti e qëndrueshme në BE.
Ndër vendet anëtare për të cilat disponohen të dhëna, vendet që shënuan rritjen më të lartë të PBB-së tremujore në këtë tremujor janë Letonia me 0.6 për qind, Belgjika me 0.5 për qind dhe Spanja me 0.3 për qind.
Rritjen më të ulët të PBB-së e kanë shënuar Irlanda me -1.8 për qind dhe Austria me -0.6 për qind. (Irma)