Presidenti rus: SHBA-ja, përgjegjëse për krizën në Lindjen e Mesme
2023-11-01 17:12:28

Putin (Foto Xinhua)

Putin (Foto Xinhua)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj qëndrojnë pas krizës në Lindjen e Mesme dhe konflikteve të tjera rajonale dhe përfitojnë më së shumti nga paqëndrueshmëria globale, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, citon “Xinhua”. 

Gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, Putin tha se ata që qëndrojnë pas konfliktit në Lindjen e Mesme dhe krizave të tjera rajonale do të shfrytëzojnë pasojat e tyre shkatërruese për të mbjellë urrejtje dhe mospajtim mes njerëzve në mbarë botën. 

“Është e rëndësishme të kuptojmë se kush qëndron pas konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kush është përgjegjës për organizimin dhe përfitimin nga kaosi vdekjeprurës në rajone të ndryshme. Janë elitat aktuale në pushtet të SHBA-së dhe satelitët e tyre që janë përfituesit kryesorë të paqëndrueshmërisë globale”, tha Putin. 

Presidenti rus theksoi se janë bërë përpjekje për të përdorur situatën dramatike në Lindjen e Mesme dhe konflikte të tjera rajonale kundër Rusisë, me qëllim të destabilizimit të vendit dhe ndarjes së shoqërisë së tij të larmishme dhe shumëfetare. 

Sipas tij, SHBA-ja po bëhet më e dobët dhe po humbet statusin si superfuqia dhe hegjemonia e vetme në botë. “Ky rend botëror po bëhet ngadalë një gjë e së kaluarës”,- tha Putin. 

SHBA-ja dëshiron të ruajë dhe zgjerojë dominimin dhe udhëheqjen e vet globale, tha ai, duke shtuar se kjo është më e përshtatshme në kohët e paqëndrueshmërisë globale kur është më e lehtë të frenosh konkurrentët dhe kundërshtarët gjeopolitikë. (Elona)