Zyrtarja e OKB-së përshëndet ecurinë e gjelbër të Kinës
2023-11-01 19:38:44

foto nga

Projekti fotovoltaik në distriktin Liangzhou të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore/ foto nga Xinhua

Si një lider botëror në zhvillimin e energjisë së rinovueshme, Kina mund të ndihmojë kombet në Jugun Global të realizojnë qëllimin e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara për arritjen e aksesit në energji për të gjithë, deklaroi Damilola Ogunbiyi, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Energjinë e Qëndrueshme për të Gjithë, gjatë një interviste për “China Daily”, pas Forumit të tretë “Një brez, një rrugë” për Bashkëpunim Ndërkombëtar, që u mbajt në Pekin më 17-18 tetor.

Energjia e Qëndrueshme për të Gjithë është një organizatë ndërkombëtare që punon në partneritet me OKB-në dhe liderë në qeveri, sektorin privat, institucionet financiare dhe shoqërinë civile. Ajo synon të mbështesë qeveritë me qasje të bazuara në prova për tranzicionin e energjisë dhe strategjitë e investimeve që ofrojnë mundësi dekarbonizimi.

Ogunbiyi tha se ekziston një pabarazi midis Azisë dhe Afrikës në përparimin e tyre drejt arritjes së Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 7, i cili kërkon akses në energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë deri në vitin 2030.

Raporti i fundit i Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 7 tregon se Azia po bën përparim më të mirë në arritjen e qëllimit sesa Afrika. Azia vlerësohet të ketë rreth 69 milionë njerëz pa akses në energji elektrike, por në Afrikë, ky numër është mbi 500 milionë, tha ajo.

Ekziston një nxitje e madhe për energjinë e rinovueshme në Azi dhe vende të tilla si Kina dhe India po bëjnë përpjekje të përbashkëta për të gjeneruar qindra gigavat energji të gjelbër çdo vit, tha Ogunbiyi.

“Kjo na bën ta shikojmë me të vërtetë Azinë si një shembull të arritjes së objektivave të burimeve të rinovueshme”,- theksoi ajo.

foto nga CFP

Centrali i prodhimit të energjisë me erë në Xinjiang të Kinës Veriperëndimore/ foto nga CFP

Duke vlerësuar arritjet e Kinës në zhvillimin e energjisë së rinovueshme, Ogunbiyi tha se vendi, me eksperiencën e tij, mund të mbështesë vendet e tjera në zhvillim në tranzicionin e tyre të energjisë.

“Kina dominon tregun kur bëhet fjalë për energjinë e rinovueshme. Besoj se mbi 50 për qind e të gjitha paneleve diellore, pajisjeve të energjisë së erës dhe baterive të litiumit prodhohen në Kinë”,- tha ajo, duke theksuar si kryesore rritjen e sektorit të prodhimit në Kinë.

“Pa akses në pajisjet e duhura, është shumë e vështirë të prodhohet energji e rinovueshme. Ajo që ne në thelb po përpiqemi të bëjmë është të huazojmë eksperiencë nga Kina dhe të shohim se si mund ta zbatojmë atë në pjesë të tjera të botës”,- tha Ogunbiyi.

Sipas saj, disa nga praktikat e Kinës mund të shërbejnë si shembuj për vendet e tjera në zhvillim.

“Së pari, duhen parë politikat dhe kuadri rregullator. Duhet siguruar që kuadri është gjithëpërfshirës dhe lejon prodhim dhe zhvillim. Më pas, duhet parë se për çfarë niveli investimi ka nevojë. Dhe ndonjëherë, mund të duhet që të përdoret një pjesë e PBB-së dhe të ardhurave për të zhvilluar sektorin”,- tha ajo.

Zyrtarja e OKB-së theksoi rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve të Kinës në zhvillimin e energjisë së rinovueshme, duke thënë se vendi është i prirë të ofrojë ndërtimin e kapaciteteve dhe mbështetje rregullatore për kombet e tjera bazuar në atë që ka arritur tashmë.

“Ne mendojmë se është me të vërtetë me rëndësi dhe do të ndryshojë vërtet peizazhin për vendet në zhvillim, nëse u tregoni se si ta bëjnë këtë dhe si të zhvillojnë industrinë e tyre të prodhimit të burimeve të rinovueshme”,- tha ajo.

foto nga CFP

Centrali i energjisë diellore në Marok / foto nga CFP

Me përparimin e parë tashmë në bashkëpunimin kino-afrikan për energjinë e gjelbër, Ogunbiyi tha se ajo pret më shumë bashkëpunim midis Kinës dhe kombeve afrikane.

“Ne jemi të njohur me shumë projekte të mëdha në infrastrukturë që po bëhen nga kompanitë kineze në Afrikë, kështu që ecja përpara drejt zhvillimit të energjisë së rinovueshme duket thjesht si një hap i natyrshëm”,- deklaroi zyrtarja e OKB-së.

Aktualisht, ka më shumë kërkesë sesa furnizim për produkte të energjisë diellore, gjë që tregon se Kina mund të luajë një rol edhe më të madh në nxitjen e zhvillimit global të energjisë diellore.

“Gjithmonë do të ketë një rol dhe një vend për produktet kineze dhe panelet solare kineze, ndërsa ne shkojmë drejt emetimeve neto zero”,- tha ajo, duke shtuar se ky është një qëllim i përbashkët.

Në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në forumin e “Një brez, një rrugë, Ogunbiyi tha se ishte e emocionuar për pjesëmarrjen e aq shumë ekonomive në zhvillim që e shohin Kinën si një partner të fortë në rrugëtimin e tyre të zhvillimit të së ardhmen së gjelbër.