Kryeministri kinez Li Qiang theksoi se do të zbatohet thellësisht strategjia e kthimit të Kinës në një vend udhëheqës në pronësinë intelektuale për të forcuar zhvillimin e nxitur nga risitë.
Foto:VCG
Duke folur të martën në një mbledhje tematike të qeverisë, kryeministri Li tha se zbatimi i strategjisë ka një rëndësi të madhe për shtimin e forcës konkurruese bazë të vendit dhe nxitjen e hapjes në nivel të lartë.
Për të mbështetur risitë në mënyrë të gjithanshme, duhet të bëhen përpjekje për përshpejtimin e krijimit të sistemeve ligjore, të menaxhimit dhe politikave, duke formuar rregulla në përputhje me teknologjitë e reja, për të hedhur një bazë të fortë për çeljen e hapësirave të reja në zhvillimin industrial, tha ai.
Duhet të bëhen gjithashtu përpjekje për të përshpejtuar zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale të orientuar nga kërkesat e tregut, shtoi Li, duke theksuar ndërmarrjen e veprimeve specifike për përdorimin e patentave dhe promovimin e zhvillimit të industrive intensive përkatëse.
Ai bëri gjithashtu thirrje për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe mekanizmave të punës së rishikimit dhe autorizimit, zbatimit të ligjit, mbrojtjes ligjore, arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, si dhe vetëdisiplinimit të sektorit, për të rritur mbrojtjen në gjithë zinxhirin e pronësisë intelektuale, duke vënë në jetë plotësisht kompensimet dhe ndëshkimet për shkeljen e të drejtave të autorit.
Kryeministri kinez vuri në dukje se duhet të forcohen bashkëpunimi dhe mekanizmat e reagimit ndërmjet departamenteve dhe rajoneve gjatë zbatimit të ligjit për të përmirësuar profesionalizmin në mbrojtjen e të drejtave përkatëse.
Ai shtoi se teknologjitë dhe metodat e reja, si të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale, duhet të përdoren për të krijuar një platformë shërbimi publik digjital të integruar në nivel kombëtar në këtë drejtim.
Li kërkoi edhe më shumë përpjekje për nxitjen aktive të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e pronësisë intelektuale, si dhe trajtimin e duhur të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare të lidhura me pronësinë intelektuale.(Zhang Yan/Artan)