Forumi “Xiangshan” i Pekinit paraqit mendimet e tij për sigurinë e përbashkët
2023-11-01 19:41:13

Foto nga VCG

“Duhet të dëgjojmë zërat e palëve të ndryshme dhe të zbatojmë konceptin e përfitimeve të përbashkëta. Këto janë propozimet e Forumit ‘Xiangshan’,” tha Said Intizar Khadim, drejtor i Qendrës së Studimeve të Zhvillimit dhe Paqes të Afganistanit në Forumin “Xiangshan” të Pekinit. Të martën, në Pekin përfundoi Forumi i 10-të “Xiangshan”, gjatë të cilit, mbi 1 800 përfaqësues nga më shumë se 100 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare zhvilluan dialog dhe shkëmbime rreth temës "Siguria e përbashkët dhe paqja e qëndrueshme". Numri dhe niveli i përfaqësuesve pjesëmarrës arritën një rekord.

Kjo është hera e parë pas katër vjetëve të fundit që forumi organizohet me prani fizike. Në sfondin e krizës së Ukrainës dhe të konfliktit palestinezo-izraelit, pjesëmarrja e lartë në Forum mishëron dëshirën e të gjithëve për të diskutuar së bashku problemet e sigurisë dhe për të nxitur shkëmbimet e dialogun. Përfaqësuesit pjesëmarrës bënë thirrje për paqen e sigurinë, duke theksuar që duhet më shumë diplomaci, më shumë negociata, më shumë komunikim.

Sot, Nisma e Sigurisë Globale e propozuar nga Kina është bërë një zgjidhje e rëndësishme për qeverisjen e sigurisë globale, duke fituar reagimet pozitive të mbi 100 vendeve dhe të organizatave ndërkombëtare. Si platformë për realizimin e Nismës së Sigurisë Globale, tema e Forumit “Xiangshan” të Pekinit, "Siguria e përbashkët dhe paqja e qëndrueshme", mishëron konceptin thelbësor të kësaj nisme dhe ofron një mundësi për të gjitha palët që të kërkojnë strategji sigurie dhe të promovojnë bashkëpunimin e sigurisë.

Nuk ka dyshim se vendet kryesore mbajnë përgjegjësi të veçanta dhe të rëndësishme në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. "Unë mendoj se marrëdhëniet ushtarake (bashkëpunimi ushtarak) ndërmjet Kinës e ShBA-së duhet të rifillojnë dhe marrëdhënia ndërmjet dy ushtrive është i një rëndësie të madhe për botën,” tha David Finkelstein nënkryetar i Qendrës së Analizave për Forcat Detare të ShBA-së.

Siç tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, Forumi “Xiangshan” i Pekinit është një platformë e mirë për të gjithë për të kontaktuar dhe komunikuar me njëri-tjetrin. Njerëzit presin që ShBA-ja dhe Kina të ecin në të njëjtin drejtim dhe të krijojnë një atmosferë të favorshme për zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy ushtrive. (Çang Çuo)