I dërguari i OKB-së: Lufta mes Izraelit dhe Hamasit po përhapet edhe në Siri
2023-11-01 16:50:08

OKB  (Foto RTSH)

OKB  (Foto RTSH)

I dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, ka paralajmëruar se lufta mes Izraelit dhe Hamasit po përhapet edhe në Siri. Sipas tij, mungesa e një procesi politik kuptimplotë ka çuar në rritje të paqëndrueshmërisë dhe dhunës, duke e bërë situatën tani shumë të rrezikshme, shkruan “RTSH”.

Përveç konfliktit të brendshëm, Siria përballet me alarmin e një përshkallëzimi më të gjerë të dhunës që zgjerohet që nga sulmet terroriste të 7 tetorit nga Hamasi.

“Përhapja në Siri nuk është vetëm një rrezik, tashmë ka filluar”,-  tha ai, duke përmendur sulmet e fundit ajrore, që i atribuohen Izraelit, që kanë goditur disa herë aeroportet e Alepos dhe Damaskut, duke ndaluar përkohësisht operacionet e Shërbimit Ajror Humanitar të OKB-së prej andej.

Siria ka përjetuar rritje të dhunës në më shumë se tre vjet, duke rezultuar në viktima civile, lëndime dhe dëmtime të infrastrukturës.

Pedersen u shpreh se civilët sirianë kanë kaluar vuajtje të konsiderueshme: një ekonomi në përkeqësim, infrastrukturë të degraduar, raportime për arrestime dhe abuzime të të drejtave.  

“E vetmja zgjidhje do të ishte frenimi i valës së dhunës, për t'u rifokusuar në një proces politik të besueshëm që përcakton një rrugë përpara në një kornizë që respekton dhe rikthen plotësisht sovranitetin, unitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë, dhe i mundëson popullit sirian të realizojë aspiratat e tij legjitime”,- theksoi i dërguari. (Elona)