Irani: Izraeli ka kaluar vijën e kuqe në Gaza
2023-10-31 16:16:54

Irani (Foto Rtsh)

Irani (Foto Rtsh)

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka deklaruar se Izraeli ka kaluar vijën e kuqe në Gaza, gjë që mund të bëjë, sipas tij, që të gjithë të ndërmarrin veprime, njofton “RTSH”.

“Kalimi i vijave të kuqe mund t'i detyrojë të gjithë të ndërmarrin veprime. SHBA-ja kërkon nga ne që mos të bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t'i japin mbështetje të gjerë Izraelit”,- tha Raisi në një postim në rrjetet sociale.

Fushata e ashpër ushtarake e Izraelit në Gaza ka ngritur shqetësimin se lufta mund të zgjerohet në fronte të tjera, teksa Irani është aleat i Hamasit si dhe i Hezbollahut, grupi militant libanez që ka qenë i përfshirë në shkëmbime zjarri me Izraelin në javët e fundit.

Ekspertët thonë se ndërsa Irani është i kujdesshëm për të ruajtur distancën në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, vendi mund mos të jetë në kontroll të plotë nëse milicitë që ai mbështet në rajon ndërhyjnë në mënyrë të pavarur, në rastet kur Hamasi mund të pësojë goditje të rënda dhe numri i të vdekurve në Gaza vazhdon të rritet.

Në ditët e para pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, u ngritën pikëpyetje rreth përfshirjes së mundshme të Iranit.

Irani e lavdëroi operacionin, por shpejtoi të mohonte se kishte gisht në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.

Inteligjenca amerikane sugjeroi gjithashtu se zyrtarët iranianë ishin të befasuar nga sulmi i Hamasit dhe se Irani nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin, financimin ose miratimin e tij. (Fatosi)