Presidenti rus (Foto Panorama)
Rusia do të konfiskojë asetet që i përkasin shteteve të Bashkimit Evropian të cilësuara si jomiqësore, nëse blloku vjedh fondet e ngrira ruse me synim që të financojë Ukrainën, deklaroi një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, njofton “Panorama”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi javën e kaluar se institucioni që ajo drejton po punon mbi një propozim që të merren disa nga përfitimet që rrjedhin nga asetet e ngrira shtetërore ruse, për të ndihmuar Ukrainën për rindërtimin pasi të përfundojë konflikti.
Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës ruse, tha se Rusia do të kundërpërgjigjej në një mënyrë që do të ishte më e kushtueshme për bllokun nëse BE-ja ndërmerr veprime ndaj aseteve ruse, shumica prej të cilave mbahen në Belgjikë.
“Një sërë politikanësh evropianë, të udhëhequr nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, edhe një herë kanë nisur që të flasin për vjedhjen e fondeve të ngrira shtetërore ruse, në mënyrë që të vazhdojnë militarizimin e Ukrainës. Një vendim i tillë do të kërkonte një përgjigje simetrike nga Federata Ruse. Në atë rast, shumë më shumë asete që u përkasin shteteve jomiqësore do të konfiskoheshin”, tha Volodin, aleati i ngushtë i Putinit, përmes një postimi në “Telegram”.
Von der Leyen tha se vlera e aseteve ruse ishte rreth 211 miliardë euro dhe rikujtoi se Blloku ka vendosur që Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës.
Volodin tha se politikanët evropianë po e shqyrtojnë këtë lëvizje në përpjekje për të mbajtur vendet e tyre të punës dhe për shkak të situatës së dobët financiare që kanë çuar shtetet e tyre.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë që pas nisjes së konfliktit në Ukrainë në shkurt 2022. (Fatosi)