Rusia pretendon se Ukraina ka sulmuar një depo të mbetjeve bërthamore
2023-10-30 16:36:30

Zedhenesja e Ministrise se Jashtme ruse (Foto Lapsi.al)

Zedhenesja e Ministrise se Jashtme ruse (Foto Lapsi.al)

Ministria e Jashtme ruse bëri të ditur se një dron ukrainas është përplasur me një ndërtesë që shërben si depo e mbetjeve bërthamore në centralin në Kursk në perëndim të Rusisë, duke shkaktuar dëme në muret e ndërtesës, duke u bërë thirrje qeverive të tjera të dënojnë Ukrainën, njofton “RTSH”.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse bëhet e ditur se Ukraina duhet ta dijë që veprimet e saj mund të shkaktojnë një katastrofë bërthamore.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha qeverive që të dënojnë ashpër veprimet barbare të Ukrainës, të cilat janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe mund të çojnë në pasoja të pariparueshme”, tha zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova.

Një ditë më herët, Rusia tha se kishte penguar një sulm me dron, ndërsa dy agjenci të lajmeve raportuan se droni kishte shkaktuar dëme në fasadën e një depoje ku ruhen mbetjet bërthamore.

Zakharova tha se droni i mbushur me eksplozivë dëmtoi muret e ndërtesës ku ruhen mbetjet bërthamore, ndërsa dy dronë të tjerë goditën ndërtesën administrative të kompleksit.

“Sipas të dhënave paraprake, dronët që u përdorën për të sulmuar centralin bërthamor, kishin komponentë që janë dhënë nga shtetet perëndimore”, tha ajo, duke shtuar se për sulme të tilla Ukraina mund të ketë pasur lejen e aleatëve, apo edhe ka mundësi që aleatët e saj të kenë urdhëruar një sulm të tillë.

Pas sulmit, centrali i Kurskut njoftoi se nivelet e rrezatimit janë normale dhe operacionet po zhvillohen normalisht.

Ukraina në përgjithësi nuk pranon apo mohon operacionet ushtarake brenda territorit të Rusisë. (Fatosi)