CFP
Sipas një raporti të publikuar në Forumin Financiar Ndërkombëtar (IFF), prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Kinës pritet të rritet me 5.2 për qind në vitin 2023 dhe 5 për qind në 2024-n, njofton “Xinhua”.
Rritja globale parashikohet të ngadalësohet më tej këtë vit në 3.1 për qind dhe ka të ngjarë të mbetet e dobët në të njëjtin nivel në vitin 2024, thuhet në Raportin Global të Financave dhe Zhvillimit 2023 të IFF-së, të publikuar gjatë Takimit Vjetor të IFF0-së të mbajtur në Guangzhou, në provincën Guangdong të Kinës jugore.
Në raport thuhet se cikli i shtrëngimit monetar në shumicën e vendeve ka të ngjarë të përfundojë deri në vitin 2024. Megjithatë, shtrëngimi monetar dhe financiar ka të ngjarë të vazhdojë dhe të ulë më tej rritjen e kërkesës dhe të ngadalësojë rimëkëmbjen globale.
Ndaj, parashikohet që ekonomia globale të rritet me 3.1 për qind në vitin 2024, me ekonomitë e zhvilluara me 1.3 për qind dhe me ekonomitë në zhvillim me 4.3 për qind.
“Komuniteti global duhet të punojë së bashku për të adresuar sfidat afatshkurtra dhe ato afatgjata. Vendet duhet të ndjekin bashkëpunimin ndërkombëtar dhe multilateralizmin në trajtimin e sfidave të përbashkëta, duke përfshirë uljen e varfërisë, mbrojtjen e mjedisit, zbutjen e ndryshimeve klimaterike, zgjidhjen e konflikteve ndërmjet vendeve dhe reduktimin e tensioneve gjeopolitike”,- thuhet në raport.
Forumi Ndërkombëtar i Financave është një organizatë ndërkombëtare e pavarur, jofitimprurëse, joqeveritare e themeluar në Pekin në tetor 2003, nga udhëheqës financiarë nga më shumë se 20 vende dhe rajone, duke përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, si dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. (Fatosi)