Rezistenca antimikrobike (Foto Globalhealthin)
Ministrat e Shëndetësisë dhe delegatët nga Rajoni Evropian i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) miratuan të enjten një udhërrëfyes të ri "praktik dhe të adaptueshëm" për veprim ndaj rezistencës antimikrobike (AMR), sipas një njoftimi për shtyp nga Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, cituar nga “Xinhua”.
Miratuar gjatë sesionit të 73-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Evropën, udhërrëfyesi i ri synon të përforcojë veprimin e shpejtë për të shmangur një rezultat katastrofik nga kërcënimi në rritje i AMR-së.
AMR, sipas OBSH-së, përbën një kërcënim të rëndësishëm si për shëndetin e njerëzve ashtu edhe për kafshët në mbarë botën nga keqpërdorimi dhe përdorimi i tepruar i barnave antimikrobiale.
Udhërrëfyesi mbron masat tradicionale, të tilla si përmirësimi i higjienës dhe vaksinimi. Robb Butler, drejtor i Divizionit të Sëmundjeve Transmetuese, Mjedisit dhe Shëndetit të OBSH-së në Evropë, nënvizoi nevojën kritike për të luftuar AMR-në, një fenomen që shpesh referohet si "pandemia e heshtur".
"Rruga përpara nuk është e lehtë, por ne jemi gati të ecim përpara si një rajon, të udhëhequr nga udhërrëfyesi i ri rajonal, duke punuar drejt vizionit tonë që deri në vitin 2030, njerëzit dhe kafshët do të jenë më të sigurt nga rezistentët e vështirë për t'u trajtuar", - tha ai. (Irma)