Mjeket ne Itali (Foto Atsh)
180 000 profesionistë të kujdesit shëndetësor zgjodhën të largoheshin nga Italia për të punuar jashtë vendit mes viteve 2000 dhe 2022.
Presidentja e Shoqatës Italiane të Pediatrisë, Annamaria Staiano, ka ngritur alarmin në fjalimin e saj në Kongresin e Pediatrisë në Torino, shkruan “ATSH”.
“Mungesa e specialistëve, në radhë të parë në fushën e urgjencës, por edhe në kuadrin e kujdesit kompleks, po minon themelet e një sistemi shëndetësor të konsideruar deri tani ndër më të mirët në botë”, - tha Staiano.
“Dimri i kaluar, me dhomat e urgjencës pediatrike nën presion, për shkak të epidemisë së bronkiolitit dhe qarkullimit të gripit dhe viruseve të tjera, ekspozoi të metat e një sistemi që ka nevojë për një përmirësim të thellë, mangësitë e të cilit mund të lindin përsëri gjatë këtij sezoni”,- theksoi ajo.
“Pagat e personelit shëndetësor në Itali janë shumë më të ulëta sesa ato të kolegëve të tyre evropianë”, - tha Staiano. (Irma)