Raporti: Në Kinë janë gjetur mbi 170 lloje mineralesh
2023-10-29 17:07:49

CFP

CFP

Që nga viti 2022, në Kinë janë gjetur gjithsej 173 lloje mineralesh, sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Burimeve Natyrore, në Konferencën dhe Ekspozitën e 25-të të Minierave të Kinës, e cila u zhvillua në komunën Tianjin të Kinës veriore, citon “Xinhua”.

Raporti, i titulluar “Burimet Minerale të Kinës 2023”, fokusohet në përparimin e ri që nga viti 2022 në studimin dhe vlerësimin gjeologjik dhe mineral, si dhe kërkimin dhe zhvillimin e burimeve minerale.

Sipas raportit, deri në fund të vitit 2022, në Kinë u zbuluan 13 lloje mineralesh energjetike, 59 lloje mineralesh metalike, 95 lloje mineralesh jometalike dhe gjashtë lloje mineralesh uji dhe gazi.

Raporti vuri në dukje se, në vitin 2022, në Kinë, u rritën rezervat e pothuajse 40 për qind të mineraleve. Rritje të konsiderueshme në rezervat u regjistruan për bakrin, plumbin, zinkun, nikelin, kobaltin, litiumin, beriliumin, galiumin, germaniumin, fluorin dhe grafitin kristalor.

Në konferencën treditore në Tianjin, me temë “Inovacioni promovon zhvillimin me cilësi të lartë të minierave”, morën pjesë më shumë se 260 kompani dhe rreth 5000 përfaqësues nga rreth 30 vende dhe rajone. (Irma)