CFP
Kina ka marrë pjesë aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar të pronësisë intelektuale dhe ka arritur rezultate të frytshme, deklaroi në një konferencë për shtyp Shen Changyu, kreu i Administratës Kombëtare të Pronësisë Intelektuale, citon “Xinhua”.
Sipas tij, Kina ka thelluar plotësisht bashkëpunimin e saj me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), duke kontribuar në krijimin e Zyrës së WIPO-së në Kinë, një qendër arbitrazhi dhe ndërmjetësimi në Shangai dhe të mbi 100 qendrave mbështetëse të teknologjisë dhe inovacionit.
Ai theksoi gjithashtu bashkëpunimin me vendet partnere të nismës “Një brez, një rrugë”, duke thënë se gjatë dhjetë viteve të fundit norma mesatare vjetore e rritjes së granteve të patentave nga aplikantët kinezë në vendet partnere të nismës ishte 23.8 për qind, ndërsa ajo e granteve të patentave nga vendet partnere në Kinë arritën në 9.8 për qind.
Përveç kësaj, Kina ka punuar ngushtë me vendet fqinje në fushën e pronësisë intelektuale dhe ka thelluar bashkëpunimin shumëpalësh dhe dypalësh të pronësisë intelektuale, duke krijuar partneritete me mbi 80 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare.
“Në të ardhmen, Kina do të promovojë aplikimin dhe ndarjen e patentave me partnerët e “Një brez, një rrugë” dhe vendeve të BRICS-it, sidomos ato që përfshijnë teknologjitë e gjelbra”,- deklaroi Shen. (Irma)