Baleti kinez Liaoning do të debutojë përshtatjen e re të “Notre Dame de Paris”
2023-10-28 15:37:11

Xinhua

Xinhua

Trupa e Baletit kinez Liaoning do të shfaqë premierën e përshtatjes së re të “Notre Dame de Paris”, në Shenyang, në provincën Liaoning.

Baleti bazohet në romanin e Victor Hugo, “Notre Dame de Paris”. Përshtatjet e tij të baletit kanë zbukuruar skenat e kompanive të shumta të baletit në mbarë botën gjatë më shumë se një shekulli, shkruan “Xinhua”.

Ky interpretim i ri është një bashkëpunim midis trupës vendase dhe atyre ndërkombëtare. Ekipi i saj kryesor krijues vjen nga Evropa, duke përfshirë regjisorin Patrick de Bana nga Gjermania.

De Bana, i cili ka punuar për shumë vite në Kinë, shprehu kënaqësinë e thellë për bashkëpunimin e tij të parë me Baletin Liaoning.

“Kënaqësia që kam duke punuar me kërcimtarët në studio është tepër e madhe. Kam të bëj me njerëz dhe artistë të mrekullueshëm. Dhe padyshim që kjo krijon një ndërlidhje të mirë”,- tha ai.

Xinhua

Xinhua

Dizajni skenik i produksionit merr frymëzim nga pikturat franceze në vaj, ndërsa partitura muzikore ndërthur elemente nga zhanret klasike dhe moderne, duke u harmonizuar me estetikën e përgjithshme të baletit.

I themeluar në vitin 1980, Baleti Liaoning ka forcuar pozicionin e tij si një nga trupat më të njohura të baletit të Kinës, me një repertor që përfshin 18 prodhime klasike të baletit, si “Liqeni i Mjellmave” dhe “Bukuroshja e Fjetur”. Ai gjithashtu ka krijuar 17 balete origjinale, duke përfshirë “Mulan” dhe “Iron Man”.

Në vitin 2019, trupa e paraqiti “Mulan” në një turne në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mauritius dhe vende të tjera, duke fituar një vlerësim të gjerë nga audienca vendase.

Pas vënies në skenë të dy shfaqjeve në Shenyang në 28-29 tetor, Baleti Liaoning do ta çojë produksionin e ri në Shangai në fund të nëntorit dhe Pekin në dhjetor. (Irma)

Xinhua

Xinhua