Foto nga VCG
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se Izraeli jo vetëm që ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të mbrojtur veten pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit, por se duhet të bëjë gjithçka që mundet për të kursyer civilët palestinezë në Rripin e Gazës.
Ai tha se po dyfishon përkushtimin e tij në punën për zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar midis Izraelit dhe palestinezëve, citon “RTSH”.
Biden tha se sulmet nga kolonët ekstremistë po i hedhin më shumë benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme, ku situata është tensionuar që nga sulmet e Hamasit.
“Kjo duhet të ndalet. Ata duhet të mbahen përgjegjës”, tha Biden, gjatë konferencës për media së bashku me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, në Uashington.
Presidenti amerikan tha se pasi të përfundojë konflikti Izrael-Hamas, Izraeli, palestinezët dhe partnerët e tyre duhet të punojnë në zgjidhjen me dy shtete.
“Kur të përfundojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë do të ndodhë më pas. Ne mendojmë se duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, njoftoi se mbi 6500 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve hakmarrëse të Izraelit.
Sipas presidentit amerikan, është kritike që Izraeli të ketë kujdes gjatë përgjigjes së tij që të minimizojë numrin e viktimave në mesin e civilëve. (Irma)