foto nga Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang u shpreh të enjten që Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe koordinimin me Iranin në kuadër të Kombeve të Bashkuara, Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), BRICS-it dhe mekanizmave të tjerë shumëpalësh, të praktikojë multilateralizmin e vërtetë dhe të mbrojë interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim. Li i tha këto gjatë takimit me nënpresidentin e parë të Iranit Mohammad Mokhber në Bishkek të Kirgizistanit, ku të dy ndodhen për të marrë pjesë në Mbledhjen e 22-të të Këshillit të Krerëve të Qeverive të Shteteve Anëtare të OBSh-së.
Që nga vendosja e lidhjeve diplomatike Kinë-Iran më shumë se 50 vjet më parë, marrëdhëniet dypalëshe kanë përballur testin e një situate të luhatshme ndërkombëtare dhe kanë bërë përparim të qëndrueshëm, tha Li, duke vënë në dukje se presidenti Xi Jinping dhe presidenti iranian Ebrahim Raisi u takuan dy herë këtë vit dhe arritën një varg konsensusesh të rëndësishme.
Li shtoi se Kina është e gatshme të punojë me Iranin për të zbatuar konsensuset e rëndësishme të arritura nga dy krerët e shtetit, të pasurojë përmbajtjen e partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-iranian dhe të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.
Kina do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Iranin në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial e dinjitetit kombëtar dhe do të kundërshtojë fuqimisht ndërhyrjen nga çdo forcë e jashtme në punët e brendshme të Iranit, theksoi ai. (Artan)